Vetëm pak vite më parë ata ishin kampionë për të cilët Barcelona pagoi lumenj parash t’i sjellë në “Camp Nou”, ndërsa tani shihen si “teprica” që duhen larguar për të rregulluar bilancin ekonomik të klubit.

Bëhet fjalë për plot 11 futbollistë, të cilët nuk bëjnë më pjesë në planet e klubit katalan dhe kanë përfunduar në shitje, por pavarësisht çmimeve më të ulëta se tregu, deri tani shumë pak prej tyre kanë marrë oferta.

Vetëm për dy prej tyre, Antoinne Griezmann dhe Philippe Coutinho, drejtuesit e Barcelonës paguan plot 255 milionë euro t’i sjellë në “Camp Nou”, ndërsa tani atë shifër është e vështirë ta arkëtojnë edhe nga shitja e një formacioni të plotë.

Dhe çfarë formacioni, pasi me 255 milionë euro, te Barcelona mund të blesh një 11-she kampionësh, që të rreshtuar me skemën 4-3-3 tipike të katalanëve, mund të garojnë denjësisht në nivelet më të larta të futbollit.

Gjithçka nis nga portieri uruguaian Neto, i cili ka kërkuar largimin dhe kartoni i tij vlerësohet vetëm 8 milionë euro, por asnjë klub nuk ka trokitur në dyert e Barcelonës për të ofruar një shumë të tillë.

Në mbrojtje emrat një ikje janë dy qendrat franceze Samuel Umtiti e Clement Lenglet dhe anësorët jashtë planeve të klubit janë Emerson Royal dhe Moussa Wague, ndërsa vlen të theksohet se katërshja e prapavijës vlerësohet rreth 62 milionë euro në total.

Mesfusha ofron edhe më shumë cilësi, pasi bëhet fjalë për emra si Miralem Pjanic, Philippe Coutinho dhe Sergi Roberto, të cilët janë të padëshiruar në “Camp Nou” dhe ndonëse vlera e tyre në treg është rreth 68 milionë euro, te Barcelona do të ishin të lumtur po të arkëtonin edhe gjysmën e tyre për të lënë të lirë tre lojtarët.

Nuk mbetet mbrapa as sulmi, pasi dy kampionët e botës me Francën, Antoinne Griezmann e Ousmanne Dembele, jo vetëm që nuk kanë bindur trajnerin Koeman me performancën e tyre, por edhe rëndojnë jo pak bilancin me pagat e tyre faraonike.

Të dy këtyre futbollistëve u shtohet edhe danezi Braithwaite, që gjithashtu është në listën e futbollistëve që mund të lënë “Camp Nou”-n deri në fund të merkatos. Në total një formacion i plotë, një 11-she e frikshme, për të cilën Barcelona nuk arrin të arkëtojë dot as 255 milionë eurot e vlerës së tyre në treg.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re