Skip to content

Një grup protestuesish takohen me përfaqësuesen e OSBE-së në Tiranë: Kërkojmë hetimin e arrestimeve dhe pasqyrimin e abuzimeve në raport

31231231

Një grup protestuesish ka zhvilluar sot një takim me përfaqësues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Tiranë, ku në fokus ka qenë situata e protestës dhe pretendimet për shkelje gjatë ndërhyrjeve të policisë.

Sipas njoftimit të shpërndarë nga protestuesit, takimi u zhvillua me shefen e zyrës së politikave në OSBE. Gjatë tij, ata kanë ngritur shqetësimet për arrestimet dhe atë që e cilësojnë si dhunë të ushtruar nga Policia e Shtetit.

Protestuesit i kanë kërkuar OSBE-së që në raportet e saj të pasqyrojë pretendimet për abuzime, si dhe kërkesat e tyre për ndryshime në ligjin zgjedhor dhe shfuqizimin e reformës territoriale.

Në njoftimin e tyre bëhet me dije se ky takim shënon nisjen e një serie takimesh me përfaqësitë diplomatike në Tiranë, të cilat synojnë të informojnë ndërkombëtarët për situatën dhe kërkesat e protestës.

Ata deklarojnë se takimet do të vijojnë deri në përmbushjen e misionit të protestës.

Reagimi i plotë:

Ditën e sotme zhvilluam një takim me karakter informues mbi situatën e protestës me përfaqësinë e OSBE në Tiranë.
Vendosëm theksin tek arrestimet dhe dhuna barbare ushtruar nga e ashtuquajtura e policia e shtetit.
Kërkuam nga OSBE të pasqyroj në raportin e saj abuzimet dhe kërkesat për ndryshime ligjore në ligjin elektoral dhe abrogimin e pseudo reformës teritorial.
Me këtë takim protesta cel siparin e një sërë takimesh me përfaqësitë diplomatike në Tiranë der në përmbushjen e misionit të saj.