Autoritetet në Kosovë u kanë bërë thirrje qytetarëve të saj që janë duke udhëtuar që të shmangin “me çdo kusht” kalimin nëpër territorin e Serbisë.

Kjo thirrje, sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme bëhet “pas situatës së krijuar në pikat kufitare në Serbi dhe ndaljes arbitrare të qytetarëve të Kosovës në vendkalime kufitare”.

“Të gjithë udhëtarët luten që të ndjekin me vëmendje situatën e tensionuar të sigurisë dhe të mos udhëtojnë përmes Serbisë”, u tha në njoftimin e përbashkët të MPJD-së dhe MPB-së.

Thirrja vjen pasi sekretari i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Fatmir Haxholli, tha se autoritetet në Serbi që nga mesnata “po mbajnë të bllokuar” së paku katër autobusë me targa dhe udhëtarë nga Kosova.

Sipas tij, bllokimi i autobusëve në pikëkalimin kufitar Batrovci, që lidh Serbinë me Kroacinë, është bërë “në shenjë hakmarrjeje dhe nervozizmi absurd” ndaj votimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.

“Bllokimi i më shumë se 300 qytetarëve, duke ua mbajtur pasaportat dhe dokumentacionet e udhëtimit, është shkelje flagrante jo vetëm e marrëveshjeve të Brukselit, por edhe e të drejtave universale të njeriut të garantuara me të gjitha konventat ndërkombëtare. Vetëm regjimet më autoritare i bllokojnë udhëtarët e një vendi tjetër, me shpjegimin ‘ky është një urdhër nga Beogradi’”, shkroi ai në llogarinë e tij në Facebook.

Haxholli tha se pasi që Zyra Ndërlidhëse serbe është duke komunikuar me Zyrën Ndërlidhëse të Kosovës, duke shtuar se synon që të udhëtojë drejt pikëkalimit kufitar Serbi-Kroaci për të parë nga afër gjendjen e qytetarëve të Kosovës që mbeten të bllokuar atje.

Më 16 prill, në Asamblenë Parlamentare u miratua rekomandimi për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Çështja tani do të dërgohet te Këshilli i Ministrave, që takohet në maj, organ që jep përgjigjen përfundimtare për anëtarësimin e një shteti në këtë organizatë.

Serbia kundërshton anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, deklaroi pas votimit se shteti i tij do të vazhdojë luftën “me të gjitha forcat” që vendimi të mos miratohet në mbledhjen e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës më 16 maj.

Ky reagim nga autoritetet kosovare vjen pas faktit se  mbi 300 qytetarë të Kosovës u bllokuan në Serbi që nga mesnata.

Pamjet e shpërndara tregojnë autobusët me targa të Kosovës në rresht, të cilët nuk i lejojnë të lëvizin. Sipas një qytetari të Kosovës, kanë 12 orë që presin dhe brenda autobusëve ka fëmijë e familjarë, të cilët kërkojnë ndihmë, pasi nuk po e përballojnë dot këtë lodhje.

“Ndodhemi në doganën e Serbisë, sapo kemi kaluar doganën e Serbisë por është dhënë urdhër që autobusët e Kosovës të mos kalojnë. Këtu janë autobusët plot me pasagjerë. I lutemi shtetit shqiptar të na ndihmojë sepse ka 12 orë që ne presim në doganë. Ju lutem, ka kalamaj, ka familje, kemi probleme. Shikoni autobusët, 12 orë që presim, ju lutem na ndihmoni, na kanë bllokuar këtu dhe nuk kalojmë dot. Shikoji njerëzit dhe autobusët. Ka njerëz që në 8 të mëngjesit ditën e djeshme që nuk udhëtojnë dot. Nuk e di se çfarë problemi është. Autobusët janë me kalamaj dhe njerëz. Autobusët me targa të tjera kalojnë, kurse autobusët me targat e Kosovës nuk kalojnë dot”, shprehet një qytetar i atyshëm.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re