Skip to content

Një hekurudhë në zemër të botës arabe: nga Riadi në Doha për dy orë

Arabia Saudite dhe Katari, dy vende arabe nwn armiqwsi deri dje, nënshkruan një marrëveshje për të ndërtuar një linjë hekurudhore me shpejtësi të lartë që do të lidhë dy mbretëritë e Gjirit, në një tjetër shenjë të përmirësimit të marrëdhënieve midis dy vendeve, të cilat kanë qenë të trazuara në të kaluarën.

Kjo linjë hekurudhore do të lidhë Riadin me Dohan, duke kaluar nëpër disa qytete të tjera të mëdha, sipas njoftimit të publikuar në shtypin zyrtar saudit. Udhëtimi nga një kryeqytet në tjetrin do të zgjasë rreth dy orë, me trenat që udhëtojnë me shpejtësi që tejkalojnë 300 kilometra në orë.

Me avion, fluturimi zgjat një orë e gjysmë. Projekti pritet të përfundojë brenda gjashtë vjetësh. Qëllimi është që trenat të transportojnë dhjetw milionë pasagjerë në vit.

Marrëveshja u nënshkrua në Riad nga Princi i Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, dhe Emiri i Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad al-Thani.

Në vitin 2017, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite, Bahreini dhe Egjipti i ndërprenë marrëdhëniet me Dohën, duke e akuzuar Katarin për mbështetjen e lëvizjeve islamiste, për kontaktet me Iranin dhe për mbjelljen e trazirave në rajon përmes kanalit të tij Al Jazeera. Katari gjithmonë i ka mohuar akuzat.

Bllokada diplomatike dhe ekonomike u hoq në janar 2021. Që atëherë, udhëheqësit e dy mbretërive janë takuar rregullisht dhe kanë bashkuar forcat për të mbështetur nisma të ndryshme diplomatike, veçanërisht në lidhje me armëpushimin në Rripin e Gazës.