ABC News sjell historinë e fierakut që braktisi Angline pas 20 vitesh për të ndërtuar vreshtat në Libofshë, aty ku pret e përcjell vizitorë me një gotë verë.

Kur ngjitesh për në Manastirin e Ardenicës, aty ku të duhet të ndash mendjen per tek perëndia Artemisë apo tek Myzeqeja në pëllëmbë të dorës, një rrugicë e vogël që shkon përmes pishave, të tundon.

Para shpaloset pamja spektakolare sundimtare: këmbanora e Manastirit të Ardenicës, shtëllunga jeshile pishash , ultësira e Myzeqesë të Fierit dhe ne fund Adriatiku, ku lehtësisht shquan edhe ishullin e Sazanit. Mushkritë të mbushen me oksigjen . Këtu familja Prifti nga Fieri, ka vendosur stacionin e fundit të bashkëjetesës me natyrën.

Ai që ka ngritur këto vreshta prej disa hektarësh është një djalë nga Fieri. Pas 21 vitesh në Londër, Dritani Prifti, vendosi të braktisë përgjithmonë Anglinë dhe t’i përkushtohet mrekullisë që ndërtoi vetë në këto kodra ku dhe shpirti i gjen rehat.

“Erdha që e pashë kjo kishte 20 vjet pa punuar se nga ndarja e ligjit të famshëm të gjithë fshatarët kishin nga 5-6 dynymë dhe ishte e vështirë për ta vijnë nga Libofsha për 5-6 dynymë dhe mendojnë rrezikun e mospunimit që mund të shpërdorohet e vidhet”.

Ka hedhur këtu mundin, sakrificat dhe dashurinë për tokën, ashtu i thjesht, fjalë pak, por punëtor. 20 vite më parë, kodrat e kësaj ane, në Libofshë të Fierit ishin shkretëtirë, deri sa Dritani ngriti një nga sarajet e natyres: Një ëndërr e bukur, nisur në një kilometrazh të gjatë rrugësh, midis Shqipërisë dhe Londrës.

“Edhe në kohën e shkuar ka qenë vresht. Detyrimisht që diçka ishte studiuar dhe para se ta mbillnim kemi bërë studim me analiza toke, me vendosjen e diellit që garanton një pjekje e kualitet të shkëlqyer”.

Në një sipërfaqe prej rreth 20 ha, këtu mund t’i gjesh të gjitha, nga ato që kërkojmë më së shumti sot, teksa duam t’i largohemi zhurmave urbane. Shtëpia e familjes Prifti i ngjan asaj shtëpie shpirti, ku mund të shijosh një Shqipërizë të vogël përrallore. /ABC News

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re