Për të mirëkuptuar dhe shumëkuptuar Ahmed Kalanë kur ai e lëshon paksa gjuhën në ironi të thikta ndaj ca tabiateve shqiptare në fushën e supersticionit, vjen si ndihmë kjo pamje e përzishme e gati e pabesueshme nga Areoporti i Rinasit. Kjo portë hyrëse e Shqipërisë, ndër imazhet kryesore të saj si një lloj pasaporte sociale, mban pamjen e një horrori bestyd, atë të një arushi të zi varur në emër të mosmarrejes m’sysh, një ekuvalent i patkoit, brinjëve të dashit, hudhrave, dordolecëve apo e sa e sa trilleve të injorancës njerëzore, e cila e bën të dalë nga vetja hoxhën e njohur të Rrugës së Kavajës te “pyetje/përgjigjet” e tij në xhami. 
E pabesueshme bëhet kjo pamje që përfaqëson gjynahun më të pafalshëm nga Zoti – shirkun, kur mendon se gjendet te një strukturë që menaxhohet nga një familje që ushtron besimin më të pastër në botë, monoteizmin e kulluar, Islamin, siç janë Kastratët. E sigurt është që po të qe gjallë i ati fisnik i tyre, baca Jonuz, do trishtohej thellë dhe nuk do e linte që kjo të ndodhte.
Edhe pse nuk dihet nëse ky akt ka buruar direkt prej tyre apo prej ndonjë mendjeje afër tyre të kapluar nga bestytni të tilla arkaike e të mbrapshta, ata lipset të mos e lejojnë një çiban të tillë aty ku është dhe pasqyra e tyre botëkuptimore.
Hipotetikisht, nëse do e pysnin Ahmed Kalanë nëse kjo ruajtje prej sytit të keq është e lejueshme, do e kishin marrë përgjigjen e tij stereopotipe, në formën e një ashpërsie të ëmbël, “larg budallenjve!”. /tesheshi.com/



