Një infermiere në shërbimin e urgjencës në qendrën shëndetësore të Kamzës ka rezultuar me koronavirus, por kjo nuk e ka penguar punën këtu.

Infermierja, na tregon drejtori i qendrës Edmond Driçi është në gjendje të mirë shëndetësore dhe është izoluar në shtëpi ndërsa pjesa tjetër e personelit shëndetësor vijon t’u shërbejë qytetarëve.

“Personeli mjekësor ka punuar normalisht deri në momentin kur ajo ka shfaqur shenjat klinike. Ka bërë një grafi, kemi komunikuar me një kolege dhe kemi thirrur epidemiologun e zonës që ka ardhur menjëherë dhe në moment janë marrë tamponët personelit. Sot personeli është në shtëpi dhe ndiqet në kushte karantine. Në lidhje me mbrojtjen e personelit mjekësor janë marrë masa me aq sa mundësi ka siç janë në protokolle zyrtare si: doreza, maska detergjentë dezinfektues etj”, tha Driçi.

Nuk është ende e qartë se ku është infektuar infermierja ndërkohë që mjekët tregojnë se thuajse çdo ditë referojnë raste të dyshuara për Covid 19 tek epidemiologët e zonës.

Qytetarët për tu futur në kabinetet e mjekëve duhet të jenë të pajisur me maska e të presin në distancë nga njëri tjetri.

Megjithkëtë ka që u rrëshqasin rregullave ndonëse janë të afishuara në hyrje dhe në korridore.

Bluzat e bardha jashtë kamerës shprehin shqetësimin se pas rastit të parë pozitiv në qendrën shëndetësore asnjë prej tyre nuk është vetëizoluar dhe asnjërit nuk i është marrë tamponi për tu testuar për koronavirus.

Ndërsa drejtori Edmond Driçi thotë se askush tjetër nuk ka shfaqur shenja të Covid 19.

“Në mjekësi ka diagnozë, terapi dhe aktualisht nuk ka shfaqur asnjë shenja klinike. Në momentin që një koleg shfaq shenja klinike, ne përsëri këtu jemi dhe do marrim masat. Por personeli mjekësor duhet të ruajë distancën dhe të respektojë protokollin”, deklaroi ai.

Në këtë qendër shëndetësore shërbejnë rreth 50 mjekë, infermierë e sanitarë dhe marrin shërbim mbi 50 mijë qytetarë. Mjekët e familjes aktualisht po ndjekin 7 persona me koronavirus.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re