Ish-drejtoresha e shkollës, Malka Leifer 55-vjeçe e cila u ekstradua nga Izraeli pas një beteje ligjore gjashtë vjeçare u urdhërua të dalë sot në gjyq me 70 akuza për abuzim seksual të fëmijëve.
Leifer u deklarua e pafajshme për të gjitha akuzat në fund të seancës gjyqësore. Seanca dëgjimore në Gjykatën Penale në Melburn u mbajt për të përcaktuar nëse kishte prova të mjaftueshme për të justifikuar gjykimin.
Ajo akuzohet për kryerjen e abuzimit kundër motrave Dassi Erlich, Nicole Meyer dhe Elly Sapper kur ishte drejtuese e shkollës “Adass Israel” të Melburnit midis viteve 2004 dhe 2008.
Tre motrat dëshmuan përmes një video-linku gjatë një seance gjyqësore të mbyllur. Leifer gjithashtu u shfaq me video nga burgu i grave në Melburn, Qendra Dame Phyillis Frost. Melburni aktualisht është i mbyllur për shkak të shpërthimit të koronavirusit (COVID-19).
Gjyqtarja Johanna Metcalf tha se ajo besonte se ka prova të mjaftueshme që mbështesin një dënim.
Leifer përballet me 44 akuza për sulme të pahijshme, 13 për akte të pahijshëm me fëmijë, 10 përdhunime dhe tre për ngacmime seksuale të fëmijëve. Prokurorët tërhoqën 4 akuza të tjera pasi u bë e qartë se incidentet e supozuara kanë ndodhur në Izrael.
Seanca e radhës do të mbahet në Gjykatën e Qarkut të Victorias më 21 tetor.
Avokati i Leifer, Ian Hill nuk bëri asnjë parashtrim në fund të prezantimit të provave nga Prokuroria. Gjykatësi vuri në dukje se Leifer mohoi të gjitha akuzat për keqbërje.
Leifer u ekstradua nga Izraeli në janar. Çështja e zgjatur gjyqësore dhe vonesat e përsëritura mbi ekstradimin e saj kishin tërhequr kritika nga zyrtarët australianë si dhe udhëheqësit hebrenj të vendit.
Ndërsa akuzat kundër saj filluan të shfaqen në vitin 2008, Leifer e lindur në Izrael la shkollën dhe u kthye në Izrael. Mes dy vendeve është nënshkruar një traktat ekstradimi, por kritikët, përfshirë akuzuesit e Leifer, thanë se autoritetet izraelite e kishin zvarritur çështjen ndërsa Leifer pretendonte se ishte mendërisht e paaftë për të dalë para gjyqit.
Vitin e kaluar, një panel psikiatrik izraelit përcaktoi se Leifer po gënjente për gjendjen e saj mendore, duke vënë në lëvizje ekstradimin. Në dhjetor, Gjykata Supreme e Izraelit hodhi poshtë apelin përfundimtar kundër ekstradimit të saj dhe ministri izraelit i Drejtësisë nënshkroi urdhrin për ta dërguar atë në Australi.
