Vetëm një javë para fillimit të ri akademik 2021, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu i ka bërë thirrje të gjithë studentëve që të vaksinohen.

Me anë të një statusi në Facebook, Manastirliu i kërkon të gjithë studentëve që do të ulen nëpër auditore që të shfrytëzojnë javën e fundit që të vaksinohen për të mbrojtur veten por edhe shëndetin e gjithësecilit.

“Një ftesë për çdo student që ende nuk është vaksinuar, të shfrytëzojë këtë javë të vaksinimit të studentëve pranë fakulteteve, për të mbrojtur veten por edhe si një detyrim moral e përgjegjësi qytetare për mbrojtjen e shëndetit të gjithësecilit.”-shkruan Manastirliu.

Ministria njoftoi se ekipet e vaksinatorëve do të jenë në të gjitha universitetet e vendit për të pritur studentët që të vaksinohen në mënyrë që viti i ri akademik të fillojë me sa më shumë studentë që kanë kryer vaksinën anticovid.

Vaksinimi i studentëve mund të kryhen pranë fakulteteve ku ata do të zhvillojnë mësimin dhe do të jetë i programuar sipas një kalendari të caktuar.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re