Skip to content

Një jetë me vaskat e peshkut, Robert Berberi: Do të punoj sa të kem frymë

Ka një profesion aq të veçantë sa edhe të rrallë. Robert Berberi mund të jetë i vetmi në vendin tonë që merret me ndërtimin e vaskave për rritjen e peshkut, një punë që kërkon përkushtim, kujdes por edhe mbi të gjitha saktësi. Roberti tregon se si e nisi këtë punë 26 vite më parë në Greqi.

“Këtë punë e kam nisur në 1996 në Athinë. Shkova si tornitor, fillova punë. Edhe në fabrikën ku fillova punën mësova punimet plastike. Tornitor kam punuar 26 vjet dhe zanatin e ri. Më hyri në zemër ky profesion sepse është një nga punët më të bukura dhe të pastra. 26 vjet. Filluam punë në Lavrio. Ishim në një nga fabrikat e Athinës. Filluam me barkat klasike, vaskat dhe e zgjerova gamën.”

Pasi e ndjeu veten të sigurt për këtë punë, Roberti u kthye në Vlorë, ku nisi nga e para këtë aktivitet.

“Në 2000 e nisa në Porto Palermo dhe erdhën kërkesat në Vlorë. Në Karaburun kam montuar të gjitha vaskat.“, shton ai.

Shumë shpejt ai do të njihej nga të gjithë edhe kërkesat për vaska peshku do të rriteshin. Sipas kërkesës së pronarit, duke ecur rritet volumi dhe kërkesa për mirëmbajtje të vaskave. Madhësia e vaska ndryshon nga kërkesa e klientëve. Por deti ka të papriturat. Për shkak të motit të keq por vaskat e tij kanë padyshim garanci ndërsa durojnë forcën e detit deri në 12 ballë.

“Këto vaska janë 12 ballë. Nuk kanë patur probleme. Janë të riparueshme“, shton ai.

Për Robertin, ky zanat është më tepër se punë. Është pasion.

“Është fatkeqësia më e madhe sepse si për zanatin e tornitorit edhe vaskat. Është një profesion që të jep kënaqësi. Nuk ka kohë nuk ka orë. Deri sa të kem fuqi do ta bëj si punë.”

Sot ai njihet jo vetëm në Shqipëri dhe Greqi ku jetoi dhe punoi për shumë vite, por edhe në Maqedoninë e Veriut.