Kryeministri Kurti ka refuzuar ftesën e homologut maqedonas për të qenë pjesë e samitit të “Open Balkan” në Ohër, në datat 7 dhe 8 qershor.

Ai i është përgjigjur Kovaçevskit me anë të një letre, duke i thënë fillimisht se “Republika e Kosovës mirëpret bashkëpunimin rajonal të bazuar në parimet e barazisë dhe me qytetarët si përfitues përfundimtarë.

Për këtë qëllim, ne jemi të angazhuar në mënyrë aktive në Procesin e Berlinit, i cili mbulon shumë iniciativa rajonale, duke përfshirë Tregun e Përbashkët Rajonal (CRM), i cili u miratua nga të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në samitin e Sofjes në 2020 dhe u miratua dhe u mbështet plotësisht nga Bashkimi Evropian”. Por më tej, Kurti thotë se Serbia nuk funksionon në këtë linjë.

“Siç e dini, në kuadër të Procesit të Berlinit, Serbia kërkon trajtim të pabarabartë për qytetarët e Kosovës dhe bllokon çdo marrëveshje brenda Tregut të Përbashkët Rajonal që mundëson bashkëpunim rajonal të bazuar në parimet e barazisë”, arsyetohet Kurti ndër të tjera.

Pos kësaj, duke lexuar te politika serbe, madje dhe te “Ballkani i Hapur”, promovim të interesave ruse apo kineze në rajon, Kurti fton Kovaçevksin që Maqedonia të tërhiqet nga nisma ku është përfshirë.

“Duke pasur parasysh vlerat e përbashkëta mes dy vendeve tona, është në interesin tonë që të punojmë së bashku në parandalimin e Serbisë që të promovojë interesin e saj rus dhe kinez në rajonin tonë, duke mohuar vazhdimisht pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe duke bllokuar mundësitë e barabarta për qytetarët e Kosovës”, shkruan Kurti.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re