Përmbytjet masive në shtetin jugor brazilian të Rio Grande do Sul kanë vrarë të paktën 75 persona në shtatë ditët e fundit dhe kanë lënë më shumë se 100 të zhdukur, thanë autoritetet lokale.

Katastrofa, të sjell në mendje Varkën e Nuhut në rrëfimin kuranor, ose Arkën e Noes në rrëfimin biblik.

Dëmet e shkaktuara nga shirat gjithashtu detyruan më shumë se 88,000 njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre, tha të dielën shërbimi shtetëror i mbrojtjes civile. Përafërsisht 16,000 njerëz u strehuan në shkolla, salla sportive dhe strehimore të tjera të përkohshme.

Përmbytjet lanë një gjurmë shkatërrimi, duke përfshirë rrëshqitje të dheut, rrugë të shkatërruara dhe ura të shembura në këtë pjesë të Brazilit. Operatorët raportuan ndërprerje të energjisë dhe komunikimit. Më shumë se 800,000 njerëz janë pa furnizim me ujë, sipas mbrojtjes civile, e cila citoi të dhëna nga kompania e ujit Corsan.

“E përsëris dhe pohoj: shkatërrimi ndaj të cilit jemi të ekspozuar është i paprecedentë,” tha guvernatori i shtetit Eduardo Leite të dielën, i cili më parë vuri në dukje se Rio Grande do Sul do të kishte nevojë për “një lloj “Plani Marshall” për t’u rindërtuar”.

Niveli rekord i lumit Guaiba

Presidenti brazilian Luiz Inacio Lula da Silva vizitoi Rio Grande do Sul për herë të dytë të dielën, i shoqëruar nga disa ministra. Presidenti dhe ekipi i tij panë nga një helikopter rrugët e përmbytura të kryeqytetit të shtetit Rio Grande do Sul, Porto Alegre.

“Duhet të ndalojmë së vrapuari pas katastrofave. Duhet të shohim paraprakisht se çfarë fatkeqësish mund të ndodhin dhe duhet të punojmë”, u tha më pas presidenti Lula gazetarëve.

Lumi Guaiba arriti një lartësi rekord prej 5.33 metra të dielën në mëngjes, duke tejkaluar nivelet e regjistruara gjatë përmbytjes historike të vitit 1941, kur lumi arriti në 4.76 m.

Shirat e rrëmbyeshëm janë katastrofa e katërt e tillë mjedisore në këtë shtet në një vit, pas përmbytjeve në korrik, shtator dhe nëntor 2023 që vranë 75 njerëz.

Moti në të gjithë Amerikën e Jugut ndikohet nga fenomeni klimatik El Nino, një ngjarje periodike, natyrore që ngroh ujërat sipërfaqësore në Oqeanin Paqësor ekuatorial. Në Brazil, El Nino ka shkaktuar historikisht thatësira në veri dhe reshje intensive në jug.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re