Atje ku ndodhi tragjedia pasditen e djeshme, gjen ende shenjat e kaosit. Shezlongët mbajnë ende disa sende të familjes, ndërsa pranë vendit ku e mitura ndërroi jetë, janë vendosur lule. Në një shezlong, të ngritur në anë të tij, është vendosur një kukull e vogël, një kujtim me siguri i fëmijërisë, që ditën e djeshme u shua padrejtësisht.

Lexo edhe: Autoritetet shpjegojnë dinamikën e ngjarjes: Manovra e gabuar e oficerit i mori jetën 7 vjeçares

Foto e postuar nga gazetarja Esmeralda Keta

Plazhi ku ndodhi tragjedia duket krejtësisht i zbrazur nga pushuesit. E vështirë të qëndrosh në një vend ku ndodhi një tragjedi e tillë.

Familjarët e 7 vjeçares kanë mbërritur kanë hapur dyert e mortit. Këtë të mërkurë përcjellin për në banesën e fundit vajzën e tyre.

Ndërkohë ende mbetet pa përgjigje pyetja se kujt i përkiste skafi që drejtohej nga oficeri Tase, ndërsa pretendimet e tij për një keqfunksionim të mjetit ujor duket se janë rrëzuar.

ÇFARË PARASHIKON LIGJI

Mbi lëvizjen dhe qarkullimin e mjeteve ujore, ka një rregullore të miratuar në mars të vitit 2019, i cili dukshëm nuk është zbatuar në rastin e skafit që drejtonte oficeri me gradën komisar.

Në nenin 7, pika 8 të VKM-së për “kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacionit të plazhit”, thuhet shprehimisht:

Lejohet aktiviteti i dhënies me qira të pedaloneve apo i mjeteve të tjera ujore dhe përdorimi i tyre duhet të bëhet jashtë zonës së notimit. Lëvizja e motorëve të ujit apo varkave motorike duhet të bëhet në një distancë prej 300 m nga zona e notimit”

Kjo distancë i kushtohet pikërisht sigurisë së nevojshme për të mos patur incidente me pushuesit në det, një rregull që ditën e djeshme nuk u zbatua nga ana e një oficeri

Një tjetër pikë me rëndësi e rregullores, janë vendosja e zonave ku do të duhet të lëvizin mjetet lundruese, me bova, sipas një specifike të mirëpërcaktuar.

Siç theksohet në pikën 5 të vendimit, të gjitha stacionet e plazhit duhet të kenë:

“ Sinjalizimin dhe kufizimin me bova me diametër 22 cm me ngjyrë të kuqe, të lidhura me litar pluskues me njëra tjetrën, çdo 30–50 m të hapësirës ujore përpara stacionit të plazhit të dedikuar për not, e cila duhet të jetë deri në: 200 m nga bregu për plazhet e tipit A;  100 m nga bregu për plazhet e tipit B.”

Në Shqipëri janë përcaktuar dhe disa tipologji të plazheve, që rregullorja i saktëson kështu:

“a) Plazh i tipit A është plazhi kryesisht me përbërje ranore dhe gjerësi të konsiderueshme të brezit të plazhit, e cila nuk është më e vogël se 60 (gjashtëdhjetë) m vijë perpendikulare me vijën e bregut të detit ose të liqenit;

b) Plazh i tipit B është plazhi kryesisht me përbërje shkëmbore dhe zhavorri dhe me gjerësi të brezit të plazhit, e cila nuk është më e madhe se 60 (gjashtëdhjetë) m vijë perpendikulare me vijën e bregut të detit ose liqenit;

c) Plazh i tipit AB është plazhi i ndërthurur, i cili përmban karakteristika si të tipave A e B;

ç) Plazh i tipit C është plazhi i virgjër, për përdorim të lirë, në të cilin nuk lejohet asnjë veprimtari për stacion plazhi, përveç mirëmbajtjes dhe pastrimit të mbeturinave nga njësia e vetëqeverisjes vendore që e ka në administrim”-shkruhet në vendim.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re