Bota nuk ka qenë kurrë në një situatë më të mirë për t’i dhënë fund pandemisë COVID-19, tha sot Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe u bëri thirrje vendeve të këmbëngulin në luftën kundër virusit që ka vrarë më shumë se gjashtë milionë njerëz.

“Ne nuk jemi ende atje, por fundi është në dukje,” tha Tedros Adhanom Ghebreyesus në një konferencë virtuale për shtyp.

Numri i vdekjeve nga COVID-19 javën e kaluar ishte më i ulëti që nga marsi 2020, njoftoi OBSH.

Zyrtarja e OBSH-së, Maria Kerkhove tha se valët e ardhshme të COVID-19 priten ende, por se bota ka mënyrat e veta të luftimit, si vaksinat dhe ilaçet antivirale për të parandaluar sëmundjet serioze te pacientët.

Po bie edhe numri i rasteve të lisë së majmunëve, por Tedros bën thirrje për vigjilencë dhe vazhdimin e luftës kundër sëmundjes.

“Ashtu si me COVID-19, ky nuk është një moment për t’u çlodhur, ne duhet të jemi vigjilentë,” tha Tedros. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re