Kancelari gjerman Olaf Scholz tha të mërkurën se Berlini dëshiron të eksplorojë mënyra për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, duke lënë të kuptohet për mundësinë e negociatave me Moskën. Ai theksoi megjithatë se të gjitha përpjekjet për të arritur një zgjidhje të konfliktit duhet të bëhen në bashkëpunim me autoritetet në Kiev.

“Me mbështetje të qartë për Ukrainën, është koha të bëjmë gjithçka që mundemi për të eksploruar se si mund të arrijmë në një situatë ku kjo luftë nuk do të vazhdojë pafundësisht,” tha Scholz në parlamentin gjerman, duke thënë se ai ishte i hapur për bisedimet që përfshijnë presidentin rus Vladimir Putin.

“Kur na pyesin nëse do të flasim edhe me liderin rus, ne përgjigjemi: ‘Po, për këtë bëhet fjalë’”, tha Scholz.

Kancelari gjerman shtoi se “vendimet nuk do të merren kurrë pa konsultim me Ukrainën dhe marrëveshje me partnerë të ngushtë”.

Scholz e bëri propozimin e ri në ditën kur presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky prezantoi “planin e tij të fitores” të shumëpritur në luftën kundër Rusisë, e cila refuzon të gjitha lëshimet territoriale dhe bën thirrje për më shumë mbështetje nga Perëndimi.

Nga ana tjetër, kryeministri sllovak Robert Fico tha të mërkurën se ai beson se ka një probabilitet të lartë që lufta në Ukrainë të përfundojë së shpejti, raporton TASR.

Ai e ka theksuar këtë para se të shkojë në samitin e BE-së ku Zelensky do të prezantojë një “plan për fitore”.

“Ekziston një probabilitet i madh që lufta në Ukrainë të përfundojë në një periudhë të shkurtër kohore. Nesër pres disa tregues në këtë kuptim, sepse tema e ftesës së Ukrainës për t’u anëtarësuar në NATO u shfaq papritmas,” tha ai.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re