Drejtori i morgut në Shkollën Mjekësore të Harvardit dhe tre persona të tjerë janë akuzuar për blerje dhe shitje të pjesëve të vjedhura të trupit të njeriut.

Cedric Lodge dyshohet se mori “kokat, trurin, lëkurën dhe kockat” e kufomave të dhuruara në Shkollën e Mjekësisë dhe i shiti ato në internet.

Sipas aktakuzës, ai dhe gruaja e tij, Denise, u kanë shitur pjesë të trupit blerësve në Pensilvani dhe Massachusetts nga viti 2018 deri në vitin 2021, shkruan BBC.

Studentët e Harvardit praktikojnë procedura mjekësore në trupa të dhuruar. Pas kësaj, kufomat shpesh digjen dhe eshtrat u kthehen familjeve të tyre ose varrosen në varrezat mjekësore të universitetit, sipas aktakuzës.

“Nganjëherë, Cedric Lodge lejoi të tjerët të hynin në morgun e Shkollës Mjekësore të Harvardit për të ekzaminuar kufomat dhe për të vendosur se çfarë të blinin,” tha zyra e avokatit amerikan në një deklaratë.

Aktakuza thotë se Katrina Maclean nga Salem, Massachusetts dhe Joshua Taylor nga West Lawn, Pennsylvania ishin mes blerësve.

Maclean thuhet se bleu fytyra të prera njerëzore për 600 dollarë në tetor 2020, të cilat ajo synonte t’i përpunonte në lëkurë. Ajo është pronare e Kat’s Creepy Creations, një dyqan që është i specializuar në transformimin e kukullave në stile gotike dhe horror. Për momentin, nuk dihet nëse ajo ka përdorur mbetje njerëzore në krijimet e saj. Në aktakuzë thuhet se ajo ruante dhe shiste pjesë të trupit të njeriut në dyqan.

Taylor dyshohet se ka bërë 39 pagesa në llogarinë e drejtorit të morgut gjatë një periudhe katërvjeçare për të blerë mbetje njerëzore, në total më shumë se 37,000 dollarë. Nëse shpallen fajtorë, të pandehurit përballen me 15 vjet burg. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re