Në një konferencë për shtyp lidhur me masat anti-Covid, kreu i qeverise Edi Rama tha se një karantinë e përgjithshme do të ishte mjaft e vështirë për ekonominë e vendit.

Rama u bëri thirrje qytetarëve të respektojnë masat kundër Covid për të shmangur me çdo kusht një karantinë të dytë.

“Ishte parashikuar që me ardhjen e vjeshtës numrat do të fillonin të rriteshin, por ndërsa në disa vende po rikthehen masat shtrënguese dhe po rishfaqet kërcënimi i një karantine të përgjithshme.

Ajo që ne duhet me çdo kusht të përpiqemi dhe të parandalojmë është një karantinë e përgjithshme. Një karantinë e përgjitshme e dytë do të ishte tejet e vështirë për vendin, ekonomitë e shumë familjeve dhe shtetin”, deklaroi ai. 

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi një mbyllje e përgjithshme nuk do të kursente askënd, ndaj bëri thirrje që të përdoret maska dhe të respektohen masat e vendosura.

“Një mbyllje e përgjithshme nuk do të kursejë askënd. Kështu që më mirë sot të hedhim një hap tjetër, të jemi të gjithë bashkë dhe solidarë, se sa nesër të gjendemi brenda mureve dhe të shikojmë rihapjen e kanalit prej nga do të rrjedhin në drejtim të paditur të ardhurat e familjes.

Mos harroni që kemi angazhuar gjithçka për të përballuar pasojat e tërmetit“, vijoi Rama, duke lënë të kuptohet se arka e shtetit është e ngarkuar me këto shpenzime dhe do të ishte i pamundur përballimi i një mbylljeje tjetër.

Rama tha se u përballua me sukses goditja e parë e pandemisë, ndërsa tani mbetet për tu menaxhuar situata, por siç është shprehur edhe më herët, nuk pritet një mbyllje e dytë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re