Ministri i Sigurisë së Bosnjës, Nenad Neshiç, ka shpërndarë në profilin e tij zyrtar në platformën X (ish-Twitter) një foto të rreme të Bashkisë së Sarajevës të ndriçuar me ngjyrat e flamurit të Kosovës.

Ministri Neshiç ka shpërndarë një foto të bashkisë së Sarajevës me ngjyrat e flamurit të Kosovës, duke kritikuar kryetaren e Sarajevës, Benjamina Kariç.

“Dhe vazhdimisht ankohen se RS nuk respekton pikëpamjet e institucioneve të Bosnjes! Nuk e di kur Bosnja e njohu të ashtuquajturën Kosovë të pavarur? Kush nuk i respekton institucionet e Bosnjës tani? Kur t’i prishni dhe rivizatoni kufijtë e fqinjit, kryetare e komunës, dijeni se edhe juve do t’u prishen”, ka shkruar ministri Neshiç.

Pa verifikim, ky ministër serb ka shpërndarë në fakt një fotografi të rreme të Bashkisë së Sarajevës, e cila nuk ishte fare e ndriçuar me ngjyrat e flamurit të Kosovës.

Para se të kritikonte kryetaren e Sarajevës për, siç tha ai, mosrespektimin e institucioneve, Neshiç bëri nderim për kriminelët serbë që vranë një polic të Kosovës fundjavën e kaluar dhe më pas u vranë në një operacion të policisë së Kosovës.

Neshiç ka nderuar sulmuesit e vrarë pa konsultim dhe vendim zyrtar të institucioneve shtetërore të Bosnjës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re