Parlamenti miratoi dje me 118 vota pro, 4 abstenim dhe asnjë kundër ndryshimet në Kushtetutë që i hapin rrugën zgjatjes me dy vite të mandatit të organeve të vettingut si KPK dhe Komisioneri Publik. Shumica u arrit falë bashkimit të votave dhe socialistëve pas ditësh të etheshme negociatash dhe lëshimësh mes palëve.

Por çfarë ndodhi pasditen e djeshme në Kuvend dhe si u pasqyrua ku votim në të dhënat elektronike të këtij institucioni?

Referuar databazës së Kuvendit, rezulton se të gjithë deputetët mbështetës të Berishës nuk morën fare pjesë në votim, ndryshe nga sa kishin deklaruar se do të votonin kundër. Edhe vetë Berisha nuk ka marrë pjesë farë në votim.

Sipas të dhënave elektronike, nuk kanë votuar për zgjatjen e mandatit të organeve të vettingut Sali Berisha; Luan Baçi; Luçiano Boçi; Oerd Bylykbashi; Belind Këllici; Sorina Koti; Bujar Leskaj; Flamur Noka; Edmond Spaho; Agron Shehaj; Tritan Shehu; Albana Vokshi. Të gjithë këta nuk kanë votuar asnjërin prej tre projektligjeve të miratuar dje.

Ndërkohë, sipas procesverbalit të Kuvendit, votë “pro” nuk dha as ministrja Belinda Balluku edhe pse sipas administratës së këtij institucioni ajo ishte prezente në sallë.

Edhe pse nuk ka votuar për vettingun, rezulton se Balluku ka dhënë votë “pro” për ngritjen e komisioneve për Reformën Territorial dhe atë Zgjedhore.

Katër deputetë të tjerë nuk kanë shprehur vullnetin e për këtë projektligj pasi nuk kanë qenë fare të pranishëm, ata janë Alfred Rushaj; Edi Paloka; Tomor Alizoti dhe Flutura Açka.

3 deputetët e LSI-së, Monika Kryemadhi; Erisa Xhixho dhe Petrit Vasili, abstenuan. Agron Çela i LSI ka bashkuar votat me PS dhe PD duke votuar pro.

Ndërkohë, rezulton se Grida Duma nuk ka votuar për komisionin e Reformës Zgjedhore, edhe pse ka votë “pro” për vettingun dhe Territorialen.(ABC News)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re