Midis të infektuarve me koronavirus është edhe një mjek i Spitalit të Durrësit. Ministria e Shëndetësisë njoftoi se janë testuar 39 mjekë, infermierë e pacientë, nga të cilët një doli pozitiv.
“Siç ju kemi bërë të ditur në daljet e mëparshme, pas testimit të kampionit të parë të 50 mjekëve dhe infermierëve në spitalin e Durrësit të cilët rezultuan negativë, ISHP ka vazhduar me gjurmimin e kontakteve, marrjen dhe testimin e mostrave të reja të stafit mjekësor në Spitalin Rajonal Durrës. Në bazë të rezultateve që tashmë kanë dalë, nga kampioni i dytë i mostrave të marra, 39 mostra të mjekëve, infermierëve dhe pacientëve, vetëm 1 mjek rezulton pozitiv, i cili nuk ka simptoma, aktualisht është i vetëizoluar dhe po hulumtohet më tej. Gjithsej janë kryer 89 testime në spitalin e Durrësit.”
Mjeku dyshohet se u infektua me koronavirus nga e moshuara që ishte e shtruar në Spitalin e Durrësit. Ajo humbi jetën prej koronavirusit, ndërsa vuante edhe nga sëmundje të tjera.