Stërvitja ushtarake e aleancës së NATO-s e quajtur “Nordic Response 24” hyri në një fazë të re dhe pasoi një moment historik për Aleancën, në të cilin morën pjesë ushtarë finlandezë, suedezë dhe norvegjezë.

Stërvitja në fjalë, e cila zhvillohet si pjesë e stërvitjes më të madhe të aleancës së NATO-s pas Luftës së Ftohtë, përfshin një sërë aktivitetesh në brigjet e Norvegjisë, por edhe në vende të tjera të Evropës Veriore.

Si pjesë e stërvitjeve, trupat norvegjeze, finlandeze dhe suedeze kaluan kufirin nga Finlanda në Norvegji dhe qëllimi ishte të mbështesnin një aleat, territori i të cilit u sulmua nga armiku në një situatë fiktive.

Me atë rast u regjistrua një moment historik në të cilin morën pjesë ushtarët e Suedisë dhe Finlandës.

“Së bashku ne po e bëjmë Evropën Veriore më të sigurt dhe sot krahu verior i Evropës ka përfunduar. Trupat finlandeze dhe suedeze kaluan kufirin norvegjez për herë të parë si aleatë të NATO-s,” tha ministri suedez i mbrojtjes Pal Jonson.

Ministrat e mbrojtjes të tre vendeve vëzhguan këtë stërvitje ushtarake në veri të Evropës dhe theksuan rëndësinë e saj nga pikëpamja logjistike.

“Me stërvitje si kjo, ne garantojmë aftësinë e NATO-s për të lëvizur trupat në vendin e duhur, në kohën e duhur dhe me shpejtësinë e duhur. Kjo është sigurisht shumë e rëndësishme për vendet e vijës së parë si Finlanda,” tha ministri finlandez i Mbrojtjes Antti Hakkanen.

Në “Përgjigjen Nordike” marrin pjesë 4100 finlandezë dhe në stërvitje, përveç këmbësorisë dhe anijeve, marrin pjesë edhe një sërë avionësh luftarakë, veçanërisht F-18.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re