Portrete të aktorëve më të njohur ndër vite të kinematografisë shqiptare të kompozuara në mozaik, vijnë pranë publikut të Tiranës nga artisti shkodran Myftar Cubi.

 

Gurët, të ndërthurur me njëri-tjetrin, i kanë dhënë mundësinë Cubit të shprehë ndjesitë e brendshme përmes një stili unik, duke rijetësuar artistët që nga Naim Frashëri, Sandër Prosi, Kadri Roshi, Rikard Larja etj e duke improvizuar një plejadë të tërë aktorësh në një skenë të përbashkët.

 

MYFTAR CUBI

 

ARTIST

 

“Këtu je i kufizuar, kur bën portretet duhet t’i kapësh në karakter në radhë të parë, për të mos thënë botën e tyre shpirtërore. Portreti të ngarkon edhe nga ana psikologjike gjithashtu. Sigurisht unë kam shkuar pas në kohë që nga filmat e parë me Naim Frashrin, me filmin e “Skënderbeut” me filmin e “Tanës” e shumë filma të tjerë. Unë jam munduar që ti marr sipas një kronologjie këto filma.”

 

Veçantia e mozaikut të Cubit qëndron në realizimin e mozaikëve me gurët natyrorë, të pangjyrosur të bregdetit tonë, sigurimi i të cilëve është sfidë më vete.

 

MYFTAR CUBI

 

ARTIST

 

“Në fakt jam i vetëm që punoj në këtë zhaner, mozaik me gurë natyral të mbledhura në bregdet nga fundi që kemi në Konispoli deri në Kotor. Teknologjia, mënyra sesi punoj është e vështirë do kohë, do mund. Për mua këto janë punë me dimensione të vogla po që vlerat i kanë të mëdha.”

 

Ekspozita “Aktorët shqiptarë ndër vite” do të jetë e hapur për të gjithë publikun deri më datë 25 shtator, në hollin e Muzeut Historik Kombëtar.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re