Gjykata Themelore e Prishtinës i ka caktuar një muaj paraburgim të pandehurit M.D, i cili dyshohet se në vitin 2013 kishte shkuar në Siri dhe i ishte bashkuar organizatave terroriste.

Përmes një njoftimi për media, kjo Gjykatë ka bërë të ditur se ka miratuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e kësaj mase kundër të pandehurit M.D.

“Të pandehurit M.D i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji.

Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri M.D që nga muaji mars të vitit 2013, kishte shkuar nga Gjermania përmes rrugëve të ndryshme në Republikën arabe të Sirisë dhe i është bashkuar organizatave të ndryshme, organizata këto të shpallura si organizata terroriste nga ana e Kombeve të Bashkuara”, është thënë në njoftim.

Sipas Gjykatës Themelore të Prishtinës, masa e paraburgimit kundër të pandehurit M.D “është masë adekuate dhe se pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi.

Në raportin Departamentit amerikan të Shtetit për terrorizmin në botë për vitin 2017 është thënë se rreth 200 qytetarë të Kosovës, vazhdojnë të jenë në zonat e konfliktit në Siri dhe Irak, duke përshirë edhe shumë fëmijë të lindur atje.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re