Në Podcastin e radhës së kryeministrit Rama, përballë tij si i ftuar ishte një drejtuar fetar musliman, imami i xhamisë “Xhura” në Tiranë, Bilal Teqja, njëherësh i sapoemëruar Myfti i kryeqytetit.

Ky episod iu dedikua besimit, nën atmosferën e muajit të Ramazanit.

Pikërisht për këtë, ai tha:

“Nëse e mendojmë besimin islam si një ndërtesë të bukur, ajo mbahet në pesë shtylla. E para, është fjala. Katër të tjera janë vepra: Agjërimi, Namazi, Haxhi, Zekati. Nga të gjithë adhurimet, agjërimi i Ramazanit është më interior, sepse kultivon sinqeritet, kultivon shpirtin e njeriut, që përmbledh kodet morale që ka njeriu në jetë. Është momenti më i mirë për të kuptuar se çfarë vlerash ke ti si njeri, çfarë mund të rregullosh, çfarë mund të japësh më shumë”, u shpreh myftiu Teqja.

Rama u ndal më tej te rëndësia e leximit, duke cituar profetin Muhamed: “Paqja e Zotit qoftë mbi të, që boja e shkrimit të nxënësit është më e shenjtë se gjaku i martirit”.

Bashkëbiseduesi përballë e mbështeti duke thënë se “Dija është pikënisja e gjithçkaje”.

“Surja që ka nisur Kurani, që në fillim të thotë ‘Lexo’. Në fund, thotë afroju Zotit. Pra, nis me dijen, për t’u afruar me Zotin. Kurani është i vlefshëm për çdo kohë, është shumë interesant. Flet me Kuran dhe e kupton atë si ai që është fëmijë, edhe ai i rritur. Por, ai që ka më shumë njohuri, e kupton më mirë Kuranin. Zoti të jep eksperiencë, sprova, sfida në jetë. Prandaj, njerëzit që janë më të lartë në status, e kuptojnë më mirë Kuranin dhe Zoti u hap më shumë hapësira se ata që nuk kanë dijen. Dija është pikënisja e gjithçkaje”, tha myftiu Teqja.

Po ashtu, ky i fundit theksoi statusin e jetës si kalimtare. “Jetoje jetën si udhëtar! Kush e jeton jetën si udhëtar është shumë i çliruar nga ngarkesat, nga sëkëllditë”.

Kjo e ngacmoi Ramën që të thoshte:

“Kush e jeton jetën si udhëtar ka fatin të shijojë shumë se e di se rruga mbaron. Unë shpesh herë u them kolegëve e bashkëpunëtorëve: Ore jeni të informuar se rruga mbaron dhe nuk do të jetoni sa shqiponjat?!”

 Më tej, ai zbuloi diçka nga vetja: “Unë kam pasur probleme me zemërimin dhe reagimin por shyqyr Zotit inatin, atë ngarkesën e brendshme që të bën që të errësohen sytë apo të mos shohësh qartë apo të rrish me njërin si do ia kthesh e kam pasur gjithmonë më pak”. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re