Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, përmes një komunikimi për mediat, në ditën e parë të vitit të ri akademik ka adresuar problematikat që lidhen me largimin e studentëve jashtë vendit.

Xhixho, në fjalën e saj, denoncoi faktin se edhe këtë vit maturantët kanë zgjedhur të studiojnë jashtë vendit, duke u larguar kështu nga Shqipëria.

Sipas saj, qeveria ka dështuar me arsimin pasi nuk e ka patur kurrë prioritet.

Xhixho shton se “kjo qeveri që nuk promovon dijen, por pazaret e korrupsionin, sot u bojkotua nga ajka e shoqërisë, nga studentët e mjekësisë.”

Deklarata e plotë për mediat e nënkryetares së Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho:

Të nderuar qytetarë,

Dua ta nis këtë komunikim me një urim nga zemra për një vit të mbarë akademik për të gjithë studentët, sidomos ata që ulen për herë të parë në auditore. Një urim për të gjithë trupën e pedagogëve në universitetet e gjithë Shqipërisë.

Edhe këtë vit, numri i studentëve që ulen për herë të parë në auditor ka shënuar rënie. Nuk është gjë e re në fakt sepse ky numër sa vjen e tkurret nga viti në vit, për shkak të shpopullimi të Shqipërisë që po rritet në mënyrë dramatike.

Sot kemi plot 20 mijë studentë më pak seç kishim 10 vjet më parë.

Edhe këtë vit, mijëra maturantë zgjodhën të largohen nga Shqipëria.

Një në tre maturantë i tha jo studimit në universitetet e vendit, për të zgjedhur studimin ose emigrimin jashtë.

E nisim këtë vit akademik me protesta dhe bojkot të studentëve të mjekësisë për një ligj që u miratua pa asnjë konsultim. Studentët nuk u lejuan as të dëgjohen në Kuvendin e Shqipërisë, por me arrogancën e kartonit iu mor peng diploma.

Me detyrimin për të qëndruar në Shqipëri të paktën pesë vjet pasi janë diplomuar, pasi në të kundërt do t’u duhet të paguajnë 6 mijë euro në vit, prindërit e tyre janë sot përpara zgjedhjes : ose të shesin pasurinë e një jete për të paguar studimet ose t’u mbeten fëmijët pa shkollë.

Qeveria u ka mbyllur atyre dyert, duke u hequr në mënyrë arbitrare mundësinë për t’u rritur në karrierë, për t’u specializuar e për të çuar përpara kërkimin shkencor.

E kemi mbështetur protestën e tyre që ditën e parë, sepse e konsiderojmë të papranueshëm izolimin me ligj të bluzave të bardha, për shkak të dështimit të qeverisë për t’i mbështetur me infrastrukturë, cilësi në arsim dhe me punësim me paga dinjitoze, duke injoruar me vite shpopullimin që i ka ndodhur vendit dhe largimin e profesionistëve.

Qeveria ka dështuar me arsimin sepse nuk e ka patur kurrë prioritet.

Zbrazja masive e universiteteve çfarë do të bëjë në të ardhmen? Apo do të presim një ligj të tillë edhe për studentët e degëve të tjera. Kjo nuk është zgjidhje.

Nëse për të mbajtur mjekët e ardhshëm në vend, qeveria zgjodhi t’i kërcënonte me gjobë, mijëra studentë të tjerë u mungojnë sot auditoreve. 40 degët që qeveria i shpalli prioritare janë braktisur nga të rinjtë shqiptarë.

Dështimi nuk mund të jetë më i madh se kaq. As duke u paguar bursë, kjo qeveri nuk po i mbush dot auditoret. Degë si Matematika, Fizika dhe Kimia në Fakultetin e Shkencave të Natyrës nuk i kalojnë 30 studentë të marra së bashku. Dhe kur kjo ndodh në kryeqytet, merreni me mend vetë se cili është realiteti në universitetet e rretheve.

Në Korçën e shkollës së parë shqipe, sot dega e gjuhës shqipe është drejt zhdukjes. Në Durrës e Shkodër po ashtu. Universiteti i Gjirokastrës është katandisur me vetëm 600 studentë në të gjitha programet e studimit.

Mësuesia po refuzohet masivisht dhe pasojat po i shohim te numri i madh i mësuesve jashtë profilit që mbushin shkollat. Kjo është një kambanë alarmi për sistemin arsimor, pasi me një rrogë qesharake me një rritje tallëse me 6%, kjo qeveri nuk motivon askënd për të studiuar mësuesi duke rrezikuar që mos kemi mësues që do të edukojnë fëmijët tanë në të ardhmen e afërt.

Dita e parë e vitit akademik është kthyer në testin e politikave arsimore që kjo qeveri ka ndjekur vitet e fundit. Janë studentët vetë ata që po e ngelin në klasë qeverinë duke ia braktisur programet studimore, janë pedagogët që po e braktisin sepse nuk paguhen.

Kjo qeveri e ka shpërfillur arsimin e lartë, duke mos i mbështetur financiarisht as pedagogët, as studentët.

Një studenti në Tiranë i duhen afërsisht 1 mijë euro për të përballuar shpenzimet e muajit. Një pedagogu i duhet të paguajë minimalisht 1 mijë euro për një artikull shkencor.

Arsimi shqiptar ka buxhetin më të ulët në rajon, vetëm 2.2% e PBB, sepse qeverisë i duhen paratë për inceneratorët dhe për koncesionet që u jep klientëve.

Kjo qeveri që nuk promovon dijen, por pazaret e korrupsionin, sot u bojkotua nga ajka e shoqërisë, nga studentët e mjekësisë.

Arsimi duhet të jetë prioritet kombëtar jo me fjalë por me buxhetim dhe me politika të qenësishme të bëra sëbashku me studentët, stafin akademik dhe gjithë shoqërinë.

Duhet vepruar sot pasi nuk mund të jetë droga, kanabisi, lojërat e fatit prioriteti i një shoqërie, por vetëm edukimi, edukimi, edukimi.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re