Në vitin 1999, dy trafikantë shqiptarë droge u ekzekutuan në Essen-Schonnebeck. Krimi gjakftohtë mbetet i pazbardhur dhe çështja tani po rihapet.

Nderi i cënuar, paratë e drogës, disa plumba të qëlluar nga afër drejt dy viktimave, me cilët bosi i bandës shqiptare mund të ketë kryer më parë pazare droge, dy vdekje dhe më pas heshtje në mjedisin mafioz, këta janë elementët e misterit të vrasjes së dyfishtë.

Ende nuk janë dënuar kriminelët që dyshohet se nxorrën në pritë dy shqiptarët Altan B. dhe Alban M., më 7 qershor për t’i ekzekutuar. Ata u qëlluan me dy pistoleta në kokë dhe në trup në Garnbleiche. Kjo është arsyeja pse dy hetues në pension, Detlef Büttner dhe Michael Detscher, po rihapin çështjen.

Ata po përpiqen të zgjidhin vrasjen e dyfishtë gjakftohtë dhe të vendosin organizatorët pas hekurave.

Vrasja e shqiptarëve

Është e hënë në mbrëmje rreth orës 23:15 kur një person anonim telefonon policinë e Essen.

Pati të shtëna me armë pas qendrës së azil kërkuesve Schonnebeck në Garnbleiche. Disa patrulla nxituan në vendin e krimit. Në një rrethrrotullim ata hasin një Ford Escort me targa Essen. Në të djathtë dhe në të majtë të makinës qëndronin trupat e mbuluar me gjak të dy shqiptarëve, 20 dhe 24 vjeç, si edhe një numër i madh gëzhojash të kalibrit 7.65 milimetra të përdorura rëndom në mjedisin kriminal të asaj kohe.

Një nga viktimat mbante ende në dorë çelësin e makinës, sedilja e shoferit të Fordit ishte palosur përpara dhe xhaketat e të viktimave ndodeshin në sediljen e pasme.

Dy shqiptarët mund të kenë qenë gati të largoheshin kur u qëlluan për vdekje. Ata gjithashtu mund të kenë dalë për të blerë drogë, të cilën synonin ta shisnin në stacionin kryesor të trenit pak kohë më vonë, siç bënin shpesh.

Frika e hakmarrjes

Natën e krimit hetuesit arrestuan pesë shqiptarë. Mirëpo, gjatë marrjes në pyetje rezultoi se ndaj tyre nuk kishte dyshime të arsyeshme. Ata nuk mund ose nuk donin t’i jepnin policisë ndonjë informacion të mëtejshëm, ndoshta për vetëmbrojtje.

Me çdo deklaratë, rrezikojnë të inkuadrohen për shpërndarje droge ose të përballen me hakmarrje nga grupet kriminale si tradhtarë, tha një oficer policie për gazetën në atë kohë.

Hetuesit e vrasjeve e dinë se dy viktimat e krimit të përgjakshëm kishin disa kohë që kryenin pazaret e tyre të drogës në Essen. Policia i konsideron dy shqiptarët e Kosovës, si brutalë, të cilët veprojnë pamëshirshëm ndaj konkurrentëve sa më shumë të shtrëngohet tregu. Thuhet se këta djem nuk kishin asgjë për të humbur pasi u larguan nga atdheu i tyre i shkatërruar nga lufta.

Sipas policisë, fakti që shtëpia e azilkërkuesve në Garnbleiche u shndërrua në një qendër të preferuar për trafikantët në vitet 1990 është kryesisht për shkak të vendndodhjes së saj të favorshme. Është qetësi gjatë natës, mund të dëgjoni çdo makinë patrullimi.

Lidhja me gruan e bosit të drogës

Hetuesit mendojnë se vrasja e dy të rinjve ishte hakmarrje e një prej drejtuesve të atëhershëm të bandës shqiptare të drogës.

Ndërsa ishte në burg, sipas hetuesve, ai mësoi nga një bashkëpunëtor se një nga dy viktimat kishte nisur një lidhje me gruan e tij dhe gjithashtu kishte përvetësuar shuma të mëdha parash nga pazaret e drogës.

Altan B. dhe Alban M. me siguri, sipas hetuesve, u futën në kurth përmes një telefonate, pa e ditur se çfarë i priste. Dy persona të armatosur qëlluan ndaj tyre nga një distancë e afërt, një i tretë ishte ulur në një makinë të kuqe në të cilën autorët u larguan pas vrasjes.

Të dyshuarit u ndaluan, por provat nuk ishin të mjaftueshme për akuza. Dy armët e vrasjes, të cilat mund të kontrolloheshin për gjurmë, janë të zhdukura.

Dhe megjithëse dëshmitarët ishin përfshirë në programin e mbrotjes, hetuesit nuk morën dëshminë vendimtare që u nevojiteshin.

Ishte dhe është e vështirë që policia të depërtojë në strukturat e krimit të organizuar me rregullat e veta. Anëtarët e dyshuar të bandës në atë kohë njiheshin që në Shqipëri dhe madje ishin nga i njëjti fshat. Në një vend të huaj ata kërkuan mbrojtje në komunitetin e tyre të lidhur ngushtë. Midis tyre zbatohej ligji i botës së krimit: kushdo që flet do të dënohet.

Detlef Büttner dhe Michael Detscher mendojnë se ky mur heshtjeje mund të jetë plasaritur pas dekadash.

Policët e dalë në pension shpresojnë se do të zbulojnë personat e përfshirët, ata që kanë dijeni për krimin e dyfishtë, apo edhe dëshmitarët në godinën e azilkërkuesve, ku kryesisht ishin refugjatët e Kosovës, sepse nuk kanë më asgjë për t’u frikësuar. Grupi i asaj kohe nuk luan më një rol në skenën kriminale të drogës në Essen.

 

 

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko