Spiunët rusë mund të shfrytëzojnë qendrat e migrantëve në Ballkanin Perëndimor për sferën e tyre të interesit, një informacion ky nga shërbimi britanik i inteligjencës MI6 që iu dorëzua qeverisë britanike, raporton The Times.

Kryeministri Keir Starmer, i cili dëshiron të deportojë migrantët në “qendrat e kthimit” në Ballkanin Perëndimor, ose të kthejë azilkërkuesit e refuzuar në vendet nga të cilat ata mbërritën në tokën britanike, u paralajmërua për këtë rrezik.

Siç theksuan burimet qeveritare të The Times, MI6 deklaroi se “rajoni nuk është i sigurt për deportimet e migrantëve për shkak të afërsisë me Rusinë”.

Kosova, Maqedonia e Veriut, Bosnja…

Në një këshillë konfidenciale drejtuar Kryeministrit Starmer, ata deklaruan se “planet do të nënkuptonin krijimin e infrastrukturës dhe objekteve të ndjeshme kombëtare në sferën e ndikimit rus, të cilat mund të infiltrohen dhe të shënjestrohen nga agjentë që veprojnë në interes të Kremlinit”.

“Migrantët e dërguar në rajon mund të bëhen shënjestra dhe të shfrytëzohen nga regjimi i Presidentit rus Vladimir Putin”, theksuan ata, raporton The Times.

Serbia, Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja dhe Hercegovina janë në listën e nëntë vendeve në të cilat qeveria e Mbretërisë së Bashkuar dëshiron të kthejë azilkërkuesit.

MI6 vlerësoi se “Serbia është më e keqja” në këtë drejtim, duke shtuar se presidenti i saj, Aleksandar Vuçiç, është një aleat i ngushtë i Putinit.

Ata gjithashtu kujtuan se Vuçiç e ka vizituar Moskën disa herë vitet e fundit dhe se së fundmi mori pjesë në paradën e Ditës së Fitores në Sheshin e Kuq në Moskë, midis pak udhëheqësve nga Evropa.

“Armët ruse po lëvizin nëpër Serbi”

Ata gjithashtu theksojnë se ka mënyra të shumta me të cilat Rusia mund të ndikojë në këto qeveri – qoftë dixhitalisht, fizikisht, përmes korrupsionit, duke instaluar njerëz pro-rusë. MI6 gjithashtu deklaron se Rusia “përdor banda të organizuara”.

Zyrtarët e inteligjencës e paralajmëruan Starmer-in, pretendon The Times, se qytetarët rusë mund të lëvizin lirshëm në Serbi, por edhe se “armët ruse lëvizin lirshëm nëpër atë vend”. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko