Megjithëse imunizimi kundër virusit korona po kryhet, 2021 do të jetë e vështirë, sepse vaksinat nuk janë një zgjidhje e shpejtë, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

“Unë mendoj se një vit i vështirë është para nesh dhe ne do të duhet të tregojmë durim dhe të vazhdojmë me masat që janë në fuqi,” tha Maria Van Kerkhove, udhëheqëse e ekipit të OBSH për COVID-19.

Ajo mendon se pjesa e parë e vitit do të jetë veçanërisht e vështirë, sepse në shumë vende, njerëzit nuk i dëgjuan këshillat për të qëndruar në shtëpi gjatë pushimeve, raporton CNN.

“Ne do kemi një fillim të vështirë përpara,” tha Van Kerkhove, duke vënë në dukje se “lëvizja dhe sjellja e njerëzve gjatë Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri do të rrisë numrin e infektimeve, shtrimeve në spital dhe vdekjeve në tre muajt e parë të vitit 2021.”

Imunizimi i ngadaltë, maskat janë të nevojshme

Ajo shtoi se vaksinat nuk do të jenë një zgjidhje e shpejtë, sepse vetë imunizimi do të kryhet më ngadalë se sa ata do të dëshironin, dhe se njerëzit do të duhet akoma të mbajnë maska, të ruajnë distancën fizike dhe të shmangin tubimet gjatë gjithë vitit.

OBSH beson se Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera ku po regjistrohet një valë e re e koronavirusit mund të kthehen në normalitet, ose diçka të ngjashme, gjatë verës ose vjeshtës.

Australia, Zelanda e Re dhe disa vende të tjera në Azi dhe Afrikë janë shembuj të mirë dhe kanë pasur më shumë sukses në kontrollimin e përhapjes së virusit.

“Ne kemi parë disa vende që e mundën këtë virus pa vaksinim,” tha Van Kerkhove.

OBSH e shpjegon këtë me testimin masiv të virusit, izolimin e njerëzve të sëmurë, gjetjen e kontakteve dhe karantimin e tyre, si dhe politikën e këtyre vendeve për të theksuar punën dhe blerjet nga shtëpia.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re