Kreu i LZHK, Dashamir Shehi tha se duhet një reformë e vërtetë elektorale, duke ndryshuar sistemin.

I ftuar në emisionin “Open” në News24, Shehi komentoi edhe ironitë e kryeministrit Edi Rama me partizanë dhe ballistë.

Sipas Shehit, një kryeministër sot nuk mund të kujtojë konfliktet e 90 viteve më parë. Ai thotë se Rama ka aleatë edhe ata opozitarë të cilët nuk duan ndryshimin e sistemit.

“Vit për vit këtu bëhet reformë, sa herë bëhen zgjedhjet. Reformë është fjalë e madhe. Që kur është bërë marrëveshja e 2008-s, janë ndryshuar disa gjëra të vogla sipas interesit dhe reformë reale, për atë që kërkon publiku dhe OSBE-ja, nuk ka.

Ky bën ato ironitë e veta banale, qoftë edhe historike. Kjo ideja me partizanë dhe balliste, nuk ka pse  kujton konfliktet e 80-90 viteve më parë. Ne themi ti rrafshojmë konfliktet, ku i kujton për ti bërë qejfin atyre që e shohin në bebe të syrit.

Nëse duam të bëjmë një reformë reale të gjithë kanë ide për këtë punë. Unë jam për të ndryshuar ky sistem nga fillimi deri në fund.

Nëse nuk ka qejf për ta bërë sic bëhet, ti kurseje shqiptarëve këtë teatër banal.

Unë edhe kolegëve opozitarë i them që hajde të ulemi në një ide të përbashkët për të ndryshuar atë që është bërë në 2008. Por një pjesë e opozitës nuk ka qejf se e ka bërë vetë këtë punë. Dhe në këtë mes ai ka aleatë që nuk duan ta ndryshojnë këtë sistem”, tha ndër të tjera Shehi.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re