Policia ka dhënë këtë të shtunë të tjera detaje në lidhje me ngjarjen tragjike në Gllogjan të Deçanit, ku një person i panjohur qëlloi me breshëri në drejtim të një autobusi që transportonte nxënës.

Si pasojë e të shtënave ndërruan jetë tre persona, shoferi dhe dy të rinj, një djalë dhe një vajzë.

“Është raportuar se një autobus derisa ishte duke bartur udhëtarë (nxënës) është sulmuar me armë zjarri (dyshohet të jetë AK-47) nga një i dyshuar i panjohur. Në këtë rast lëndime vdekje-prurës ka pësuar drejtuesi i autobusit,  viktima mashkull  kosovar, vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes”.

“Ndërsa tri viktima, dy meshkuj  dhe një femër (nxënës) janë dërguar në  Spitalin Rajonal Pejë, dy prej tyre kanë ndërruar jetë (një mashkull dhe një femër ) ndërsa viktima tjetër është duke u trajtuar në spital. Njësitet relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes. I dyshuari gjendet në arrati, rasti në procedurë hetimore”, njoftoi policia.

Kush janë viktimat

Në median e Kosovës u përcollën identitetet e viktimave. Shoferi i autobusit quhej Gani Gjokaj. Dy nxënësit, një vajzë dhe një djalë po ashtu u identifikuan. Për të ruajtur privatësinë e tyre, po përcjellim këtë foto duke saktësuar se të ndjerët ishin minorenë, përkatësisht nga 17- 18 vjeç.

Sipas Rasim Selmanajt (AAK), i cili publikoi dhe foton e të ndjerëve, të dy nxënësit ishin fëmijë të prindërve që kishin marrë pjesë në luftën për çlirimin e Kosovës.

Nxënësi i plagosur u operua gjatë orëve të mbrëmjes, si është gjendja e tij

Gjendja e nxënësit që mbeti i plagosur gjatë sulmit ndaj autobusit në Gllogjan, është stable dhe jashtë rrezikut. Nxënësi është operuar gjatë orëve të mbrëmjes në plagë (kofshë) dhe vijon të trajtohet në spitalin e Pejës.

Zëdhënësi i spitalit të Pejës, Naim Sahiti u shpreh për median:

“Pacienti mbrëmë në orët e vona të natës është operuar, ku i është larguar një plumb nga trupi. Gjendja e tij shëndetësore është stabile për momentin dhe po vazhdon të rikuperohet pas operimit”, tha Sahiti.

Çfarë tha një prej dëshmitarëve që ndodhej në autobus

Një prej udhëtarëve që ndodhej në autobus në momentin kur personi I paidentifikuar ka nisur të qëllojë me breshëri automatiku, tregoi për median e Kosovës këto detaje:

Jemi kon tu ec me autobus. Edhe na ka dal një person i maskuar me kallash në dorë edhe ka filluar me gjuajt drejtë neve. Gjithçka ka ndodh shumë shpejt”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re