Nga: Hoxhë Justinian Topulli

Mentori Kikia në emisionin e tij “Përtej” te MCNTV foli për gylenistët, duke marrë në intervistë edhe dy prej tyre dhe të vetmit në fakt. Pritej që në të, të thuheshin shumë gjëra, por në fakt gati nuk u tha asgjë, nga ato që ia vlen të thuhen. Përshtypjen personale dhe disa nga pikat që u ngritën në atë emision, po i përmendim si më poshtë:

1. Emisioni ishte shumë i varfër dhe siç pritej, tejet i njëanshëm. Nuk kishte në të zëra kundra dhe as informacione që dihen tashmë jo vetëm nga besimtarët, por edhe të tjerë. Të vetmit që folën në të, ishin dy gylenistë ish-drejtues të lartë të KMSH-së, të cilët të linin përshtypjen sikur nuk kishin lidhje fare me Gylenin, ndërkohë që kanë studiuar në shkollat e tij dhe janë edukuar në “shtëpitë e dritës” së lëvizjes së tij dhe sillen tipikisht sipas modelit të tij.

2. U mohua se ekziston një organizatë gyleniste, ndërkohë që u paraqit Gyleni thjesht si një dijetar islam, mendimtar, frymëzues shkollash, promovues i tolerancës dhe dialogut. Të intervistuarit sigurisht që përfitojnë nga padija e shqiptarëve, që nuk e dinë se gylenistët nuk janë një organizatë e dukshme, por një rrjet individësh të lidhur mes tyre përmes strukturave jopublike dhe që menaxhojnë shkolla, organizata, spitale, media dhe biznese që janë publike dhe në dukje nuk kanë asnjë lidhje me Gylenin, përveç faktit se drejtuesit e tyre janë gylenistë të pashpallur, por që njihen nga shumëkush se cilët janë.

3. Të dy të intervistuarit as e pohuan dhe as e mohuan se krerët e KMSH-së janë gylenistë, por tentuan në paqartësinë e tyre kamufluese të thoshin se të lexosh librat e Gylenit, t’i referohesh atij, ta simpatizosh atë, nuk të bën domosdoshmërisht gylenist. Ndërkohë që e vërteta që ata e dinë mirë dhe të gjithë ne e dimë mirë, është se krerët e KMSH-së, duke nisur që nga kryesia e KMSH-së e më tutje janë ithtarë të Gylenit, qofshin këta të rangut të parë. apo thjesht simpatizantë të largët të tij. Të mohosh këtë, është si të zësh diellin me shoshë, kaq i vërtetë është ky fakt.

4. U tentua të aludohej nga drejtuesi i emisionit për një përplasje në KMSH mes modernistëve liberalë dhe ekstremistëve konservatorë, ku të parët ishin gylenistët, ndërsa të tjerët erdoganistët dhe të tjerë. Së pari, nuk ekziston një rrymë erdoganiste as këtu, as në Turqi, por ka simpatizantë të presidentit turk, i cili sot është president i Turqisë dhe nesër nuk do të jetë më, ndërkohë që gylenizmi qoftë si rrymë apo lëvizje është evidente dhe ka ideologjinë e vet dhe që do të vazhdojë, edhe kur Gyleni të mos jetojë më. Së dyti, përplasjet në KMSH në shumicën e rasteve, siç e kemi thënë disa herë, kanë qenë mes uzurpatorëve, manipuluesve, shpërdoruesve dhe pjesës tjetër, dhe jo mes “liberalëve” dhe “ekstremistëve”. Së treti, gylenistët tentojnë gjithmonë para opinionit publik dhe shtetit, të luajnë kartën e liberalëve që duhen mbrojtur nga ekstremistët dhe ndërhyrjet e tyre. Edhe pse gylenistët nuk etiketojnë drejtpërdrejt dikë, se cilët janë këta ekstremistë, nga emisioni dhe drejtuesi i tij, ky imazh iu faturua dy-tre herë xhamisë Dine Hoxha dhe imamit të saj.

5. Njëri nga gylenistët e intervistuar theksoi se KMSH-ja qëndron larg të ashtuquajturit “Islam politik”, për të cilin paska disa tentativa qoftë edhe të vogla, dhe se ajo na qenka garante ndaj këtij gogoli që rrezikon vendin tonë, edhe pse akoma nuk ka një të tillë mes nesh. Në fakt, kjo është retorikë e njohur e gylenistëve, që nis që me qëndrimet armiqësore të Gylenit ndaj Erbakanit, mësuesit dhe pararendësit të Erdoganit. Gylenistët duke ditur ndjeshmërinë e lartë negative që kanë në Perëndim ndaj të ashtuquajturit “Islam politik”, e ofrojnë veten si alternativë islame apolitike dhe antidot ndaj këtij gogoli. Por ndërkohë, e vërteta është se gylenistët, me në krye vetë Gylenin janë nga njerëzit më të thekur dhe të përfshirë në politikë dhe të etur për pushtet politik sa askush tjetër, por natyra e tyre e përfshirjes është krejt ndryshe, ajo është masonike, e kamufluar dhe përmes infiltrimit të padukshëm.

6. Nga drejtuesi i emisionit u cituan burime pranë policisë, se nuk ekziston një organizatë gyleniste terroriste që përbën rrezik për vendin tonë, duke hedhur kështu poshtë dhe nxjerrë absurde pohimet e presidentit turk, të cilat u etiketuan si justifikime për të kapur KMSH-në. Në fakt, për të kuptuar natyrën e xhematit gylenist duhet kuptuar ideologjia dhe struktura e tyre dhe mekanizmat se si ata veprojnë, ndaj t’i hulumtosh ata si grupim terrorist të tipit të ISIS-it është idiotësi, aq më tepër t’i fusësh të gjithë në një thes dhe të bësh krahasime me atë që ndodhi prej tyre në Turqi me rastin e puçit të 16 Korrikut, është mungesë objektiviteti. Gylenistët nuk janë të gjithë të një niveli, dhe ka shumë prej tyre që besojnë vërtet në ato që thonë, ka shumë prej tyre që janë të sinqertë, dhe as nuk besojnë se prej tyre mund të dalin njerëz që mund të bëjnë puçe ushtarake si ai i Turqisë, por ndërkohë, mes tyre ka gjithashtu njerëz që janë të gatshëm të bëjnë puçe, të vrasin e të vriten, nëse këtë ua kërkon Gyleni, apo abilerët zëdhënës të tij. Gylenistët shqiptarë, puçi i vetëm që kanë bërë është ai institucional, i uzurpimit të KMSH-së, përmes kamuflimit, presionit, shkeljes së statutit etj., që edhe pse janë një pakicë mes besimtarëve muslimanë, e kanë reduktuar përfaqësimin vetëm në orbitën e njerëzve që vërtiten rreth tyre, duke përjashtuar dhe larguar gjithmonë e më shumë ata, të cilët nuk janë pjesë e tyre, apo guxojnë t’u dalin nga rreshti.

7. Ajo që u vu re nga emisioni ishte se jo vetëm pyetjet shpesh ishin shumë të përgjithshme, por edhe pyetjet e drejtpërdrejta dhe konkrete, të bëra nga drejtuesi i emisionit shmangeshin shpesh me vështirësi dhe sforco në përgjigje, aq sa njëri prej atyre të dyve që përgjigjej, dukej që në fytyrë i sikletosur, sikur e kishin vënë në bankën e të akuzuarve, apo para togës së pushkatimit, dhe jo para kamerës së një TV-je, çka flet vetë përtej atyre që ai tha dhe nuk tha.

8. Si përfundim, për një njeri të thjeshtë, ky emision më shumë ngriti pikëpyetje dhe mjegulloi atmosferën, sesa i dha përgjigje temës së tij. Por ndoshta ky është edhe qëllimi i gylenistëve, që duke ndjekur ideologjinë dhe metodën e tyre të kamuflimit dhe ndoshta edhe të mungesës së burrërisë për të pranuar hapur se janë të tillë, t’ia hedhin opinionit publik dhe të tregohen si engjëj të pafajshëm. Sigurisht mund të jenë të pafajshëm për shumë gjëra, por kurrsesi për uzurpimin dhe mbajtjen e KMSH-së në mënyrë ilegjitime.

Kauza jonë kundra gylenistëve ka lidhje me uzurpimin e tyre të KMSH-së në mënyrë ilegjitime, duke e kthyer atë në një institucion ku mungon gjithëpërfshirja dhe ku direktivat dhe politikat e tyre sektare ideologjike transnacionale prevalojnë ndaj atyre komunitare shqiptare. Se çfarë besojnë gylenistët dhe si e praktikojnë ata besimin e tyre, kjo është çështje e tyre, për të cilën mund të kritikohen ose jo fetarisht, dhe llogarinë e kanë tek Zoti, por ndërkohë, që të kuptohet kauza jonë e vendosjes së legjitimitetit, gjithëpërfshirjes dhe dinjitetit të institucionit, duhet domosdoshmërisht të kuptohet se me çfarë xhemati sektar kemi të bëjmë, si janë të organizuar, çfarë ata besojnë dhe si veprojnë, sepse KMSH-ja për fat të keq është bërë viktimë e tyre. Sigurisht ata mund të jenë pjesë e KMSH-së, por jo ama si uzurpatorë, dirigjues ilegjitimë dhe njerëz me dy fytyra, por si gjithë të tjerët, pavarësisht xhematit apo lëvizjes që i përkasin. KMSH-ja është e të gjithë muslimanëve shqiptarë të këtij shteti dhe jo vetëm e një pakice sektare, për të cilën qëllimi për pushtet justifikon mjetin.

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re