Detaje të reja dalin në dritë nga ngjarja e rëndë që ndodhi pas mesnatës në zonën e Laprakës në Tiranë, ku një punonjës i Policisë së Shtetit ekzekutoi një 25-vjeçar të identifikuar si Klodjan Rasha, që sipas bluve nuk iu bind urdhërit për të ndaluar, dhe mbante armë me vete.

Në njoftimin e parë të Policisë thuhej se i riu mbante në dorë një send të fortë në dukje armë, ndërkohë që më pas u tha se nga grupi i hetimit ishte gjetur në vendngjarje një pistoletë, që dyshohej se ishte e Rashës.

Mësohet se i riu është me origjinë nga Puka, djali më i vogël i familjes Rasha, që ka edhe dy djem më të mëdhenj. Vendi ku ndodhi ngjarja është një rrugicë “qorre” pranë banesës së 25 vjeccarit.

Burime bëjnë me dije se i riu, është dërguar për në spitalin e Traumës, ndërsa mbetet e paqartë nëse ai ka ndërruar jetë në vend, apo rrugës për në spital, versioni i fundit është dhe ai që thuhet nga ana e Policisë.

Mësohet se në zonë janë dëgjuar dy të shtëna, ndërsa burime të pakonfirmuara bëjnë me dije se një plumb Rasha e ka marrë në kokë dhe një tjetër në shpinë.

I riu ka qenë duke pirë kafe në një lokal pranë banesës deri në orën 22:00. Policia ka sekuestruar kamerat e një servisi në orët e para të mëngjesit dhe mendohet për shkak të pozicionit ku janë vendosur dhe vendit ku ka ndodhur ngjarja mund të kenë regjistruar gjithçka. Shiritat e rrethimit të vendit të ngjarjes janë hequr rreth orës 07:00, ndërsa banesa e të riut ndodhet pranë vendit ku ka ndodhur edhe vrasja.

Një prej fqinjeve të të riut, është shprehur se Klodjani nuk ka qenë problematik, madje komunikonte mirë me të gjithë në lagje dhe ishte djalë shumë i sjellshëm, ndërsa shton se ishte i papunë. Sa i takon familjes së tij, ata kanë hapur dyert e mortit, ndërsa trupi i të riut ndodhet ende në morg, ku do të kryhen dhe të gjitha ekzaminimet e rastit.

“Ishte djalë shumë i mirë, nuk ngacmonte njeri, nuk mundem që të flas më. Tani po e dëgjoj, ka qenë shumë i mirë, nuk e di me çfarë është marrë, ishte i papunë. Unë po bëj gati 20-25 vjet këtu, dhe ishte djalë shumë i mirë, nuk di çfarë të them, nuk di ça të flas për atë njeri, nuk di gjë fare. Jo, jo, nuk kemi pasur probleme nga ai djalë”, shprehet fqinja e Klodjan Rashës.

Burimet bëjnë me dije se 25 vjeçarit i është gjetur nga policia një armë zjarri pistoletë, ndërsa dyshohet se Rasha ka qenë tip problematik që kur ka qenë i vogël, dhe konsumues droge.

Sipas Policisë i riu Rasha nuk u është përgjigjur thirrjeve të bluve për të ndaluar dhe është larguar me vrap duke i drejtuar punonjësit të policisë një send të fortë në dukje armë zjarri. Pas kësaj punonjësi i Policisë e ka qëlluar me armë duke i marrë jetën. Punonjësi i policisë shtetasi N.H., është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për veprime të metejshme.

SHÇBA është duke vijuar hetimet nëse efektivi ka vepruar si duhet, pasi ligji i Policisë së Shtetit është i qartë sesi veprohet në momentet kur qytetarët bëjnë rezistencë, dhe pikësëpari personi përballë nuk mund të qëllohet në pjesën e sipërme të trupit, siç ka ndodhur në rastin e Rashës.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re