Zonja Holta Zaçaj, Kryetare e Gjykatës Kushtetuese, priti sot në një takim zyrtar në ambientet e kësaj gjykate, Kreun në detyrë të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, znj. Clarisse Pasztory, e cila shoqërohej në këtë takim nga z. Cailean Maclean, Shefi i Zyrës Ligjore dhe znj. Luljeta Krasniqi, Këshilltare Ligjore Vendase.

Gjatë takimit Kryetarja Zaçaj përfitoi nga rasti për ta falënderuar edhe një herë përzemërsisht znj. Pasztory për bashkëpunimin e frytshëm dhe intensiv të Gjykatës Kushtetuese me zyrën e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, si një prej partnerëve mbështetës më kryesorë dhe të rëndësishëm të këtij institucioni. Një prej arritjeve/produkteve më të fundit dhe të suksesshme të këtij bashkëpunimi është edhe hartimi i Udhërrëfyesit (Guidës) për Jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese, një dokument që synon të rrisë transparencën dhe aksesueshmërinë në drejtësinë kushtetuese, si dhe konsistencën jurisprudenciale në vendimmarrjet gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese, në funksion të forcimit të shtetit të së drejtës dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut në Shqipëri.

Nga të dyja palët u evidentua me shumë kënaqësi organizimi i veprimtarisë për prezantimin e këtij Udhërrëfyesi në datën 21 shkurt 2024, pasi ky dokument do t’i shërbejë jo vetëm Gjykatës Kushtetuese por edhe avokatëve, praktikantëve të së drejtës dhe studiuesve të ligjit për të njohur dhe referuar në mënyrë efektive jurisprudencën e kësaj gjykate.

Nga ana e saj, znj. Pasztory shprehu angazhimin për vazhdimësinë e këtij bashkëpunimi dhe gatishmërinë e kontributit të saj për një mbështetje edhe më gjithëpërfshirëse për Gjykatën Kushtetuese.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re