Kryeministri Edi Rama vijoi këtë të mërkurë, më 24 dhjetor, vizitën e tij në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku u ndal në Shërbimin Onkologjik për të takuar fëmijët që po kalojnë festat e fundvitit nën kujdes mjekësor.
“Ne e bëjmë këtë çdo vit, kështu që kemi ardhur të sjellim dhuratat për ju që ta kaloni gëzuar Vitin e Ri bashkë me mamat dhe me babat, edhe që të shëroheni sa më shpejt që të ktheheni në shtëpi dhe në shkollë”, uroi kryeministri vogëlushët që shoqëroheshin nga prindërit në mjediset spitalore.
“50 milionë euro më shumë për Shëndetësinë në 2026-ën“
Sa i përket vitit të ardhshëm, Rama bëri të ditur se buxheti për shëndetësinë do të rritet me rreth 50 milionë euro krahasuar me këtë vit. Ai theksoi se vetëm për barnat onkologjike janë shtuar 15 milionë euro, ndërsa një fond i njëjtë pritet t’i shtohet rimbursimit të barnave në mesin e vitit të ardhshëm.
“Sa i përket vitit që vjen ne kemi disa gjëra pozitive për shëndetësinë e cila ka marrë 50 milionë euro më shumë se sa këtë vit. Nuk janë pak për buxhetin tonë. Ka marrë 15 milionë lekë ekstra vetëm për barnat onkologjike dhe do i shtohet edhe një 15 milionsh tjetër në mesin e vitit të ardhshëm, për rimbursmin e barnave.”, tha Rama.
Sipas kryeministrit, këto investime synojnë edhe shpërndarjen e ngarkesës së madhe që përballon Onkologjiku i Tiranës, përmes rrjetëzimit të shërbimeve në spitalet rajonale.
“Do ngrihet Instituti Kombëtar i Tumoreve“
Rama paralajmëroi gjithashtu ambicien për ngritjen e një Instituti Kombëtar të Tumoreve dhe krijimin e një rrjeti kombëtar për trajtimin e sëmundjes, duke theksuar se kanceri mbetet një problem gjithnjë e më i madh, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe në rang global.
“Më tutje, patjetër që do të vazhdojmë me transformimin e QSUNT-së për të mbyllur edhe çfarë ka mbetur pa u mbyllur, ndërkohë që ambicia është për të për të ngritur Institutin Kombëtar të Tumoreve dhe për të pasur një rrjet kombëtar për të adresuar këtë problem që bëhet gjithmonë e më i madh, jo në Shqipëri, por kudo ku kanceri po prek gjithmonë e më shumë njerëz.”, tha Rama.


