Urbanisti dhe arkitekti Artan Shkreli, ka publikuar foton e rrallë të një projekti mbi qendrën e Tiranës këtu e dekada më parë, pa e speficifikuar se kujt i përket dhe për ç’vit është fjala.

“Version i qendrës së Tiranës me shesh kuadratik sikurse ai sot dhe me një Teatër të Operas në anën perëndimore të tij. Një portë triumfi mbyll perspektivën e gropës së lulishtes. Ky projekt që veç Bashkisë së vjetër prishte edhe Bankën e Shtetit me Teatrin Kombëtar, si dhe ish-godinen e Parlamentit (Teatrin e Kukullave), nuk u realizua në asnjë element të tij”, shkruan Shkreli.

Dhe vërtet, siç shihet, atje ku dikur ishte monumenti i Enverit e pas, do ishte Teatri i Operas, atje ku sot ndodhet busti i Skënderbeut, do ishte Porta e Triumfit. Ndërsa Xhamia e Et’hem Beut mbetet aty, e pa vënë në diskutim, si shenjë identifikuese e Tiranës, paçka shndërrimeve urbane.

Sipas asaj çfarë shkruan Shkreli, do sakrifikoheshin godina vërtet monumentale si Banka dhe Teatri i Kukullave – ish-Parlamenti i parë shqiptar – ndërsa Teatri Kombëtar, një ish-Dopo Lavoro e italianëve, nuk është cilësuar kurrë monumentale, veç faktit që aty u shkrua historia e teatrit shqiptar gjatë viteve të komunzimit.

Godinë tjetër monumentale që do shembej, e që vërtet është shembur, ka qenë ish-Bashkia, vepër e italianëve, aty ku sot është Muzeu Historik. Ndërsa aty ku ndodhet Pallati sovjetik i Kulturës, ka qenë dikur Pazari i Vjetër i Tiranës, që sot, sipas nostalgjikëve e atyre me shije urbane konservatore, do përbënte një Çarshi e cila do i jepte një nur identitar Tiranës. Pak a shumë, rolin e saj sot, në një përmasë minore dhe gjysmake, e luan Pazari ri Ri.     

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re