Shtetet e Bashkuara kanë shprehur shqetësim të thellë lidhur me komentet e presidentit bullgar Rumen Radev se gadishulli i Krimesë është “rus”, tha të hënën Ambasada e SHBA në Bullgari.

“Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara nga deklaratat e fundit të presidentit bullgar Rumen Radev duke e quajtur Krimenë ‘ruse’,” tha ambasada e SHBA në Sofje.

“Shtetet e Bashkuara, G7, Bashkimi Evropian dhe NATO kanë qenë të qarta dhe të bashkuara në qëndrimin se, pavarësisht përpjekjeve për aneksimin rus dhe pushtimin e vazhdueshëm, Krimea është territori i Ukrainës”, shtohet në deklaratë.

Radev, i cili fitoi një mandat të dytë presidencial në raundin e dytë të zgjedhjeve të së dielës, u zotua të mbajë lidhje të ngushta me aleatët e NATO-s të Bullgarisë, por gjithashtu bëri thirrje për një marrëdhënie pragmatike me Rusinë.

Në debatin presidencial para rizgjedhjes, ai aludoi për Krimenë si “aktualisht ruse” dhe i bëri thirrje Brukselit të rifillojë dialogun me Rusinë, duke pretenduar se sanksionet perëndimore të vendosura ndaj Moskës nuk funksionojnë.

Komentet e tij për Krimenë hasën në një protestë nga Kievi zyrtar dhe kritika të ashpra nga kundërshtarët e tij në shtëpi.

Rusia aneksoi Krimenë nga Ukraina në vitin 2014.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re