Rreth orës 22 e 30 Henri Çili u la i lirë dhe doli nga mjediset e Gjykatës së Faktit Përmet me vendimin “detyrim paraqitje”, ndërsa u pa i buzëqeshur teksa pritej nga të afërm dhe miq.

Jashtë sallës së gjyqit atë e pritën edhe një grup kolegësh gazetarë të cilët qëndruan në pritje të përfundimit të seancës maratonë 10 orëshe të vlerësimit të arrestit dhënë nga prokuroria.

“Një absurd i paimagjinueshëm, deri në kufijtë e çmendurisë. Gjithsesi ishte një provë e vështirë që më bindi se duhet të thelloj studimet e mia në fushën e së drejtës penale”, i deklaroi Çili të dërguarit të Newsbomb.al në Përmet pas lirimit.

Pas një seance maratonë në Gjykatën e Përmetit, kjo e fundit dha vendimin për lirimin nga burgut të 13 personave dhe dhënien e masës së arrestit me burg për 18 të tjerë nga 31 të arrestuarit në kuadër të operacionit të koduar si “Mezhgorani”.

Botuesi Henri Çili është një nga personat e liruar ndaj të cilit u vendos masa “Detyrim paraqitje”, ndërsa mbi të ishin ngritur nga Prokuroria 6 akuza.

Për sa i përket veprës penale së ndikimit tek funksionarët e shtetit, Gjykata shprehu moskopetencë dhe e kaloi tek SPAK.

Ashtu siç pritej, menjëherë pas përfundimit të caktimit të masës së sigurisë për 31 të arrestuarit, dosja “Mezhgorani” kalon në SPAK.

Prokuroria Gjirokastër shpall moskompetencën, ndërsa në ditët në vijim, 31 të arrestuarit do të rivlerësohen me masë sigurie edhe para Gjykatës së Posaçme.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re