Në klinikën Gjinekologjike të spitalit të Prishtinës (QKUK) ka lindur një foshnje me një peshë të pazakontë, afro 6.5 kilogramë.

Lajmin e ka përcjellë vetë QKUK përmes një postimi në rrjetet sociale, teksa shkruan se është një rast unik në historinë e klinikës gjinekologjike atje.

“Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës u lind një foshnjë me peshë rreth 6.5 kilogramë, që përbën një rast unik në historinë e Klinikës së Gjinekologjisë.

Mes vështirësive, të cilat i ka krijuar Pandemia COVID-19, sidomos ditëve të fundit, një ekip i përbërë nga gjinekologë, anesteziologë dhe mami, realizuan suksesshëm lindjen me operacion. Pacientja me inicialet I.P. nga Drenasi, e lindur në vitin 1991, që edhe dy lindjet e para i ka kryer me operacion, dhe foshnja janë në gjendje të mirë shëndetësor”-njofton QKUK.

Vetë nëna e foshnjes tregoi se bebi peshon 6 kg e 390 gramë, e pyetur nga media në Kosovë. Ajo shtoi se është fëmija i saj i tretë dhe se lindjen e ka kryer përmes operimit.

“Kjo është hera tretë që bëhem nënë dhe po ndihem mirë. Dy fëmijët e tjerë kanë pas peshë më të vogël, njëri 3 kilogram e gjysmë dhe tjetri 4 kilogramë e 300 gramë, ndërsa sot kam lindur fëmijën me peshë 6 kilogram dhe 390 gram”, tha nëna e foshnjës së porsalindur.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re