Nga Desada Metaj

Po ndiqja me shumë vëmendje zhvillimet në komisionin e inceneratorëve kur më thanë se Sali Berisha paska deklaruar se zgjedhja ime në bordin e AMA-s qënka tregues i bashkëqeverisjes, meqë aty drejton ish zëdhënësja e Ramës dhe unë (sipas tij) zëdhënëse e Bashës. Pozicion të cilin se kam patur kurrë.

Pas 22 vitesh në gazetarinë aktive kam drejtuar komunikimin e fushatës elektorale të PD për zgjedhjet e 25 prillit.

Kur PD mori vendim për t’u larguar nga çdo institucion, përfshirë parlamentin dhe bashkitë, ajo kishte përfaqësuesit e saj në AMA të bekuar dhe nga Sali Berisha.

Ata nuk e braktisën vendin në bord, duke qenë i vetmi institucion që kishte përfaqësues të PD.

Tani që dhe vetë Berisha është rikthyer në parlament dhe opozita sërish ka përfaqësuesit e saj në AMA, unë përfaqësokam bashkëqeverisjen.

Nuk kam patur kurrë dyshime për koherencën e munguar politike të Sali Berishës, por kam shpresuar gjithmonë se të paktën informacionet për zëdhënëset do t’i kishte të sakta.

Duke u nisur dhe nga dobësia që ka për to!

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re