Shkruan: Stavro Xhardha
Personin në fjalë nuk e njoh fare, pash që kishte një farë elokuence dhe një farë vije logjike kur fliste prandaj është më e udhës që personi të sqarohet sesa të linçohet, pasi ai vet, ndryshe nga anti-islamistët apo islamofobët nuk shau njeri.
Ai deklaroi se “mbulimi i vajzës” nën moshën 18 vjeç në shkollë nuk duhet të bëhet pasi ajo është e mitur dhe nuk e zgjedh vet shaminë. Për më tepër në shkollë nuk shkohet për të fituar xhenetin, por për të mësuar lëndë si kimi, fizikë etj.
Në rradhë të parë, mosha: Nuk ka asnjë evidencë shkencore që fëmija kur mbush 18 di të zgjedhë më mirë sesa kur është 17. Kjo është thjesht një vijë arbitrare juridike, ashtu sikurse është dhe mosha e dakordësisë për mardhënie seksuale (16 vjeç parashikon me ligj, mesa di ka kufizime sepse duhet dhe leja e prindit nëse partneri është maxhoren). Vende të tjera arrinë deri në 12 (Shqipëria e ka 14 në mos gaboj). Kjo nuk duhet ngatërruar gjithsesi sikur ka dikush të drejtë të abuzojë seksualisht apo ta fejojë fëmijën pa dëshirë.
Së dyti: Mentaliteti dhe gjuha e përdorur “mbulimi i vajzave” që qarkullon rëndom është totalisht paragjykues. Unë kam patur vetë shoqe klase ku prindit u thonin “kapi flokët mos m’i lër lëshuar”, “vish diçka më të gjatë”, apo “mbuloje kraharorin”. Kjo sepse prindi e ka si të drejtë. Këtu fillon dhe mbaron historia. Atëherë ku qëndron problemi nëse prindi thotë “mbuloi flokët”? Kush e fyen më shumë një profesor, një vajzë me shami, apo një vajzë e cila ngre rripat e tangave mbi xhinse siç është moda?! (Me perversitetin e profesorëve të sotëm e dimë se tangat nuk e fyejnë aspak, por kjo është çështje burrërie jo politike).
Së treti, fakti që muslimanët janë kryesisht maskilist në trevat shqiptare dhe të shkujdesur për meshkujt e vegjël por jo për femrat, ka krijuar idenë se duhen “mbuluar” femrat vetëm. Meshkujt muslimanë që plotësojnë kushtin si të pjekur (kur nis e rrjedh sperma) duhet gjithashtu të kihen kujdes për zbulimin e trupit, poashtu si edhe femrat e mitura (-18). Sigurisht nuk e kemi më kulturën e plisit dhe çallmave, por padyshim që trupi i meshkujve nuk zbulohet ashtu siç nuk pranojmë zbulimin e femrave (sidomos në gradat dhe moshat e sotme).
Së katërti, qëllimi i shkollës laike është shkenca, por nuk ka thënë askush se fetarët nuk mund të mësojnë shkencë, qofshin me shami apo me kryq. Kushti i vetëm është të mos “llomotisin” për fe dhe politikë. Pastaj personit në fjalë nuk i jepet e drejta fare të caktojë se cili është qëllimi i atij që çon fëmijën në shkollë. Dikush mund të thotë “dua ta bëj djalin ose vajzën doktor/aktor etj”, dikush tjetër thotë “sa të kualifikohet se do ta marr tek biznesi im”, dikush tjetër për disiplinim, dikush tjetër për dije, e më injoranti sa për obligim ligjor. Qëllimet e shkollimit mund të jenë të pafundme, xheneti një prej tyre. Por kjo nuk mund t’i sqarohet askujt që nuk e beson atë. Debati është dhe filozofik pasi laikët e nisin logjikën se jeta fillon me një tabularasa ku evoluimi fillon në shkollë. Ndërkohë ne themi jo. Fëmija lind i pajisur me logjikën (ndryshe do merrte pension) dhe e kanalizon apo disiplinon atë me shkollim.
Së pesti dhe më kryesorja, pse duhet të ketë oponencë kaq të madhe për këtë rast? Kur sot mua më merret fëmija pa më pyetur mua si prind, nga ora e historisë e shkon fishek në fushatat elektorale të PS, LSI dhe PD. Dhe nuk bëhet kaq zhurmë! Kur fëmija mbështillet me flamurin e LGBTQIA+ ku unë si prind mund të mos dua, kur vet LGBTQIA+ vjen e bën fushatë nëpër shkolla, tek minorenët. Aman, çfarë predikimi dhe çfarë ofendimi bën një vajzë me shami karshi moshatareve të saj? Me shami në kokë, mua më rezultojnë 1/10 e grave dhe vajzave. Atëherë pse gjithë ky shqetësim? Të bëhemi më realist! Nuk ka për t’i ardhur asgjë e keqe fëmijëve nëse kanë një shoqe të tillë. Më e keqja: Do e tallin, më e mira do e bëjnë shoqe. Rëndësi ka si sillet, jo si vishet. E drejta e anti-shamive mund të niste nëse kjo pakicë me shami në kokë do dilte me teza të tipit “Nuk vi në shkollë po nuk vuri e gjithë shkolla shami”. Këtu po, keni të drejtë të bërtisni e të ulërini. Po edhe kur shohin punën e tyre?!
Së gjashti, dhe kjo jo lidhur me Krakin: Qarkullon lartë e poshtë se gratë mbulohen se i urdhëron burri apo babai dhe që të mos ngacmohen në rrugë seksualisht, apo mos japin shkaqe seksuale etj etj. Po na dalin edhe disa gra të cilat janë padyshim të bindura se shaminë vajza nuk e ka zgjedhur vetë, por me dhunë dhe imponim familjar. Duke pranuar se ka raste të tilla, përgjithësisht kjo nuk është e vërtetë. Fëmija thjesht edukohet dhe imiton apo ka qef të bëjë atë që bën prindi, prandaj e ka dhe më thjesht bindjen ndaj tij apo dëgjimin. Por unë di pafund raste nga xhamia, ku një vajzë (mbi 18 vjeç madje) vendosi shaminë dhe prindërit e përzunë nga shtëpia dhe ai person akoma dhe sot (në mos është martuar) jeton në konvikt. Di raste ku fëmijën e kanë mbajtur me ilaçe gjumi që të mos shkonte në xhami, apo ku vendosin gjithë shoqërinë në dispozicion patronazhimi se mos kushedi e ka gjetur diçka djalin apo vajzën që ka filluar lexon kuranin apo biblën (mos ka ikur nga trutë ose i kanë bërë lavazh).
Së fundmi, nëse pretendojmë që jemi në demokraci, shumica vendos e pakica respektohet, ama nuk thotë askush se pakica duhet të mendojë e veprojë si shumica, apo të ndryshojë vetveten, pa përmendur faktin që muslimanët në Kosovë jo vetëm që nuk janë pakicë, por komplet e kundërta!
Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.