Ndoshta ka qenë statusi më i gjatë i shkruar nga Rama, gjatë komunikimit të zakonshëm në rrjete, ku rëndom gjindja e sulmon e ai mbrohet. Por si një mjeshtër i fjalës – e vetmja aftësi që nuk i vihet në diskutim – nuk i kalon 5 rreshtat në hazër-xhevapin e vet, ndaj kujtdo dhe për çdo çështje.

Ndërsa një nga më të fundit, ka qenë deri në nivel “rrëfimi mbi veten”. Shkak ëshë bërë udhëtimi i tij me një charter drejt Torinos, për të ndjekur takimin Juve – Lacio. Nga aty më pas publikoi një video ku fliste me presidentin Anjeli-junior, e më pas foton e promovuar me zell adoleshenti ku kishte pozuar me Ronaldon.

Një pjesë e publikut shqiptar ia urreu vanitetin – në fakt i padenjë për atë lloj krenarie në tipin e Ramës; takimi e më pas ndarja me publikun e ngazëllimit gati fëminor, por dhe kompleksiv, të takimin me CR7-ën – ndërsa pjesa tjetër, e ngacmuar dhe nga gjuha e opozitës, i urreu abuzivizmin e pretenduar – udhëtimin me charter, këto kohë vuajtjesh ekonomike.

Kjo e ka detyruar më pas që të bëjë “rrëfimin”, duke u përqëndruar te pjesa e pretenduar abuziviste me objekt charterin.

“Eshte per te ardhur keq se si peshkohen sot njerez jo keqdashes nga lajmet e rreme e nga akuzat neper rrjetet sociale! Sa per dijeni, une kam vendosur qysh diten e pare rregullin qe qeveria, qe nga kryeministri e me radhe, nuk udheton me ne business class po ne klasen ekonomike si gjithe njerezit e zakonshem. Se dyti une kurre nuk kam marre nje bilete per veten e lere me pastaj per familjen, kur kam udhetuar (ne shume pak raste ne keto pese vjet, sepse edhe pushimet i’a kam ndaluar vetes e ministrave t’i bejne jashte Shqiperie) per arsye joshteterore dhe si rrjedhoje udhetimet e mia i kane kushtuar me pak buxhetit te shtetit se sa ato te tjeterkujt ne detyren time – rastet e udhetimeve te punes me charter nuk e kane renduar asnjehere buxhetin e shtetit dhe nuk jane perdorur kurre per arsye private apo per familjen time siç eshte genjyer paturpesisht ne rrjetet sociale. Se treti, une isha ne Torino si i ftuar i klubit te Juventusit dhe fale mikut tim Igli Tare qe me dha mundesine e udhetimit me charterin e prenotuar prej atij vete, duke qene se ndodhet ne Shqiperi me pushime. Pra shkurt, udhetimi im nuk kushtoi as edhe nje qindarke te vetme, zero. Keshtu qe me vjen sinqerisht keq po edhe per te qeshur te them te drejten, kur degjoj e lexoj per te tilla muhabete krejt pa lidhje me personin tim. Kush me njeh, e di fare mire se s’jam aspak i dhene pas qejfeve, luksit, restoranteve e lere pastaj makinave, helikoptereve e avioneve, automjete me te cilat me lidh thjesht puna! Pasionet e politikes, artit, librave e filmave, me dalin e teprojne si kalimtar mbi kete toke. Kush s’me njeh le te mundohet ta marre me mend se ka edhe keshtu ne kete bote te larmishme.”

A duhet besuar te këto rreshta të fundit? Po! Është e vërtetë se kush e njeh, e di që Rama nuk ka qenë kurrë një hedonist në tip. Në këtë pikë ai ngjan me Berishën. As njëri dhe as tjetri, nuk e kanë në tipologjinë dhënien pas parasë, dhe stili i jetës së tyre nuk ka patur asnjëherë nuanca hedonizmi, një gjë që nuk mund të thuhet për Fatos Nanon. Ky i fundit nuk mund të rrinte pa xhepat plot. Edhe faktin që plasi derisa e mësoi makinën për t’i dhënë vetë – e pagoi dhe me dy gishta të thyer –  ishte pjesë e natyrës së tij hedoniste.

Ndërsa te Rama nuk duhet ngatërruar ekstravaganca e tij në stil jete, pasionet gjithashtu, që jo gjithnjë përbëjnë hedonizëm. Edhe te Berisha, nuk duhet ngatërruar pasioni i tij për pushtet me të qënit hedonist. Të dhënit pas pushtetit te ish-lideri demokrat, jo domosdo përkthehet si dhënie pas parasë e pasurisë. Në këtë pikë, në ndihmë na vjen Basha. Ky i fundit, siç dihet, posedon një pasuri të pazakontë, për moshën dhe karrierën. E posedon në para të thata, si dhe në pasuri të paluajtshme. Por në paraqitjen e jashtme është mëse modest. Eshtë tipikisht një prej atyre rasteve ku imazhi gënjen.

Ndërkohë duhet kuptuar se Shqipëria, më shumë se nga politikanë të dhënë pas parasë apo qejfeve, ka vuajtuar nga asish pa vetëdije të lartë, pa pasion, ide, kreativitet. Sepse pos të tjerash, ato kanë qenë dhe goxha të shkolluar, por dija e tyre skolastike pak ose aspak ka dhënë efekt në terren. Shqipëria e sotme, të ngjan jo sikur është qeverisur nga njerëz me tituj shkencorë e që kanë parë botë më sy, por prej asish me katër klasë shkollë, horra e gdhë. Nuk kanë qenë të tillë, por kanë qeverisur si të tillë!                           

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re