Një gjest i bukur qytetarie duhet vlerësuar, e aq më tepër kur akti i mirë vjen nga fëmijët. Policia e Kosovës ka njoftuar se 4 djem të mitur kanë gjetur një kuletë ku kishte dokumenta e të holla. Të miturit e kanë dorëzuar kuletën në polici, e cila më tutje ka kontaktuar pronarin dhe ia ka dorëzuar.
Në njoftimin e policisë, thuhet se pronari ka falendeuar përzemërsisht të rinjtë, njëlloj siç kanë bërë dhe autoritetet.
“Njoftim dhe falënderim
Gjest i mirë i katër të rinjve, të cilët kuletën e gjetur me një shume të hollave e dorëzojnë në polici dhe të njëjtat i kthehen pronarit
Vushtrri, 25 gusht 2021
Katër të rinj- fëmijë të cilët e kanë gjetur kuletën me dokumentacion dhe me një shumë të hollave duke vepruar ndërgjegjshëm i kanë dorëzuar në Stacionin Policor në Vushtrri.
Ky gjest i mirë, është raportuar dje me datën 25 gusht 2021, rreth orës 14:30 nga të rinjtë të cilët deri sa ndodheshin në rrugën “Skënderbeu” afër shkollës “Mustaf Venhari”, kanë gjetur një kuletë me dokumentacion dhe një shumë të hollave.
Policia pasi ka identifikuar dhe verifikuar personin të cilit i ka humbur kuleta me dokumentacion dhe të hollat, të njëjtat ia ka dorëzuar pronarit, me ç’rast i njëjti ka falënderuar katër të rinjtë (fëmijët) dhe Policinë e Kosovës.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë, ju është mirënjohëse katër të rinjve (fëmijëve) për gjestin e ndërgjegjshëm.”-thuhet në njoftimin e policisë
