Skip to content

Një shkodran në radarin e Kombëtares, Maran shkon e ndjek nga afër në Skoci

640 0 ddddddsjpg 1788939948

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, po kërkon alternativa të reja për krahun e djathtë.

Në fokusin e teknikut italian ka përfunduar Sabah Kerjota, futbollisti shkodran që po merr gjithnjë e më shumë hapësira te Hearts në Skoci.

Maran ishte në stadium për të ndjekur nga afër paraqitjen e tij në ndeshjen ndaj St Johnstone.

Kerjota ka hyrë në radarët e Kombëtares pas paraqitjeve të fundit me Hearts.

Futbollisti 21-vjeçar, i formuar te akademia e Vllaznisë, shënoi golin e tij të parë për klubin skocez dhe ka fituar një rol më të rëndësishëm në skuadër.

Ai ka startuar në katër ndeshje nën drejtimin e trajnerit Wouter Vankenc dhe, përveç golit të fundit, ka dhënë edhe tre asiste.

Paraqitjet e tij kanë bërë që Maran ta ndjekë nga afër situatën. Trajneri i Kombëtares ishte në ndeshjen e Hearts ndaj St Johnstone për të parë në aksion sulmuesin shkodran.

Kerjota është larguar nga Shqipëria në moshën 16-vjeçare dhe pas një periudhe në Itali, në vitin 2025 u transferua te Hearts për rreth 150 mijë euro.

Ajo që e bën interesante kandidaturën e tij për Kombëtaren është edhe profili. Kerjota luan si sulmues i djathtë dhe përdor këmbën e majtë, një kombinim që aktualisht nuk ofron shumë alternativa te kuqezinjtë. Në këtë rol, Shqipëria ka pasur si një nga opsionet kryesore Jasir Asanin.

Nëse vazhdon me të njëjtin ritëm, Kerjota mund të marrë një ftesë nga Kombëtarja për ndeshjet e ardhshme të Nations League. Kompeticioni pritet të jetë gjithashtu një mundësi për Maran që të testojë alternativa të reja përpara eliminatoreve të Europianit.