Nga: Alban Gorishti
Po jetojmë në një kohë ku hormonet e vjetra të sistemit gjenetik stimulohen fuqishëm nga rritja eksponenciale e topitjes mendore pas fenomeneve negative mediatike. Këto muaj po merr jetë fenomeni i rrejshëm i radhës, ai fallxhorisë retorike-mediatike. Njerëz të cilët identifikohen nëpërmes kapadajisjeve verbale dhe bullizimeve hormonale të një njeriu që thjesht di të krijojë “tymosje verbale” të tipit populist duke banalizuar çdo diskurs në favor të spektaklit më pervers që ka njohur sfera mediatike. Por, duhet thënë që kësaj radhe kapërcimi i kufijve ka qenë fokusi kryesor i zëvendësimit të vlerave bazike me antivlera virale. Por, kjo nuk është hera e parë që shqiptarët magjepsen pas fjalorit
bullizues dhe individualitetit teatral, kjo ka qenë rëndom ajo që ka ndodhur në Shqipëri që nga kohët e vjetra. Komunizmi, demokracia etj, krijuan një topitje shpirtërore kolektive, një histeri konceptuale pas individit dhe fjalës boshe, të cilat shpesh janë në kontrast bardh e zi me njëra tjetrën. Me çfarë shikoj ne vuajmë nga njëfarë vampirizmi hormonal (konceptual). Këtë dua t’jua përshkruaj nëpërmjet funksionit të melatoninës (ose siç quhet hormonit vampir).

Melatonina është një hormon që lirohet natyrshëm nga gjëndra pineale, një gjëndër e madhësisë së bizeles në tru. Melatonina ndihmon në rregullimin e ciklit 24-orësh gjumë-zgjim, çlirimi i melatoninës shkaktohet nga errësira – me fjalë të tjera, ajo del vetëm gjatë natës në momentin që receptorët në retinë ndjejnë mungesë drite. Pra, “Nivelet e melatoninës rriten në mbrëmje, duke nxitur ndryshime fiziologjike, duke sinjalizuar trupin të përgatitet për gjumë”. Sapo melatonina të lëshohet në qarkullimin e gjakut, ndodhin ndryshime fiziologjike si ulja e temperaturës së trupit dhe ritmit të frymëmarrjes, së bashku me përgjumjen. Nivelet zakonisht qëndrojnë të ngritura gjatë gjithë natës përpara se të kthehen në sasi të papërfillshme gjatë ditës.

Duket sikur me fenomene të tilla (one man show), ne biem në një gjendje gjumi, temperatura intelektuale ulet, frymëmarrja shpirtërore bëhet e varur nga emocionet që përcjell ndikimi verbal i këtyre performuesve mediatik (apo politik), ndërsa pason përgjumja më e thellë karakteriale që mundet ta karakterizojë një popull. E kështu melatonina si hormon vampir prodhohet me shumicë në sistemintonë të vlerësimit. Ndaj funksioni i këtij hormoni është i ngjashëm me ndryshimet rrënjësore që marrin jetë në imagjinatën tonë kolektive. Për këtë duket sikur sistemi ynë i gjykimit përgjatë ndikimit të këtij hormoni vampir, përgjumet thellësisht, ndaj shpesh kemi parë se emri i këtyre personazheve (gjatë gjendjeve të tilla) përmendet më tepër sesa emri i Krijuesit. Pra, tek ne nuk përgjumet i gjithë organizmi
por vetëm ndjeshmëritë morale dhe përgjegjësitë intelektive.

Dikur thirrëm gjatë emrin e diktatorit, më pas atë të kryetarëve të partisë, e sot emrin e Luizit. Por vazhdimisht harrojmë të përmendim emrin e Zotit. E kështu vuajmë kohë pas kohe nga sisteme shtypëse dhe gjendje shqetësuese.

Ka thënë pejgamberi alejhi selam: Ai i cili dëshiron që Zoti ti përgjigjet lutjes së tij në momente fatkeqësish apo ngushticash, atëherë le të shpeshtojë lutjet gjatë kohës së rehatisë “ Sahih el Xhamiu 6290

Zekerija porsa pa bollëk në derën e Merjemes, luti Zotin, ngjashëm edhe Musai kërkoi mirësinë e të shikuarit të Zotit pasi që ndjeu afërsinë dhe begatinë e komunikimit me entitetin më të lartë hyjnor, por përpara kësaj të gjithë ata e thirrën Zotin me përnderim më parë se të kërkonin prej tij gjëra konkrete. Ndaj edhe Zekerija tha : “… e me lutjen time ndaj Teje o Zoti im, asnjëherë nuk kam qenë i dëshpëruar..” Merjem 4. Pra, për shkak se më ke njoftuar me përgjigjen e lutjes nëpërmjet favorizimit që më ke bërë në të kaluarën, për shkak se të kam thirrur dhe kërkuar vazhdimisht, shpresoj me bindje se do të më favorizosh me mirësi edhe në të ardhmen.

Procesi kimik i funksionimit të melatoninës, këtij hormoni favorizues të jetës, na tregon po ashtu madhështinë e krijimit të krijuesit. Kjo pasi Zoti nuk na e ka bërë ditën të përhershme në këtë botë (pra nuk na ka munduar pafundësisht), duke na dhënë mundësi pushimi, ndaj nëpërmjet këtij hormoni stimulohet procesi i domosdoshëm i gjumit. Por me çfarë kam parë sot mundet ta marrësh këtë hormon, në trajtën e një medikamenti, të integruar me përzierje të tjera (për ata që kanë cikël të çrregullt të gjumit), dinamikë që ndoshta të ndihmon për një kohë por nëse e ekspozon veten duke e përdorur në mënyrë të vazhduar këtë substancë rrezikon vartësi dhe çrregullime më të mëdha sesa ato
që dikur dëshiroje të kuroje. E nëse do ta paralelizoja këtë proces me atë të fenomeneve gjatë të cilave kërkohet mpirje morale dhe intelektuale, atëherë do të frikësohesha seriozisht për integritetin shpirtëror të bashkësisë me tepricë hormonale, e nëse digjet shpirti digjet edhe trupi bashkë me të. Ndaj mendimit se duhet të shikojmë përpara, i mbivendoset mendimi i të parit dhe thirrurit sikurse i përgjumuri, i përhumbur në mesin e tokave të thara në muzgun e ditëve pa shi. Kjo pasi – izmat e sistemeve laike e shkretuan të brendëshme nëpërmjet performancave të tilla, ato ku kulti i individit thërritet të zëvendësojë funksionin e së vërtetës. Ndërsa mungesa e përshpirtshmërisë kolektive shpesh u stimulua nga tepricat e hormoneve kimikë të prodhuar në laboratorët e mediave klienteliste.

Ah, sa nevojë kemi të thërrasim emrin e Zotit dhe jo atë të Luizit apo Luizave që prodhon nëntoka e kontaminuar e vetëdijes tonë publike!!! Ndërsa me thirrjen e personazhit fitojmë thjesht një emocion, por kur thërrasim Zotin fitojmë të kaluarën dhe të ardhmen tonë. Allahu thotë: “Dhe Ai ju dha gjithë atë që kërkuat (që kërkoi nevoja juaj), dhe edhe në qoftë se përpiqeni t’i numëroni të mirat e Allahut, nuk do të mund të arrini t’i përkufizoni (në numër) ato. Vërtet, njeriu është i padrejtë dhe shumë përbuzës” Ibrahim: 34.

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re