Tetë akuza të tjera u ngritën kundër ish-ministrit të transportit të Singaporit, Subramaniam Iswaran, i cili është në qendër të një skandali korrupsioni që po trondit qytetin-shtetin e Azisë Juglindore.

Sipas aktakuzës plotësuese, ai dyshohet se ka marrë sende të çmuara me vlerë rreth 13,000 euro nga një biznesmen që kishte marrëdhënie me Ministrinë e Transportit, të cilën Iswaran e drejtonte, tha në një deklaratë Byroja e Hetimit të Praktikave Korruptive (CPIB).

Gjithsej 35 akuza janë ngritur kundër Iswaran në një çështje të profilit të lartë që ka tronditur opinionin publik në një vend ku termi “korrupsion” duket si një fjalë e panjohur dhe skandalet politike janë të rralla.

Rasti i fundit i korrupsionit që përfshin emrin e një ministri daton në vitin 1986. Asokohe, ministri i Zhvillimit Kombëtar Te Chiang Wan u hetua për përvetësim. Por ai vdiq para se të mund të nxirrej në gjyq.

Iswaran u arrestua korrikun e kaluar, i akuzuar për marrje ryshfeti prej 383,340 dollarë nga manjati malajzian Ong Beng Seng – i cili zotëron të drejtat për Çmimin e Madh të Singaporit, një nga garat në kampionatin botëror Formula 1 –për të çuar përpara interesat e tij të biznesit.

Nëse shpallet fajtor, Iswaran, 61 vjeç, përballet me deri në shtatë vjet burg dhe një gjobë deri në 68,000 euro.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re