CIA mund të ketë për herë të parë një grua në krye të saj. Gina Haspel është emri më i lakur për të plotësuar vendin e lënë vakant nga Mike Pompeo në krye të CIA-s, pasi ky i fundit vetë do të marrë detyrën e Sekretarit të Shtetit pas shkarkimit të Rex Tillerson.

Por, emri i saj ka përçarë si ligjvënësit amerikanë, ashtu edhe publikun.

Vetë Donald Trump e përshëndeti përmes Twitter-it. “Është njeriu i duhur. E kam njohur mirë këto kohë”, shkruan ai.

Haspel ka mbajtur deri më tani postin e zv.drejtorit të CIA-s dhe ka një përvojë 30-vjeçare në agjenci, si drejtuese, por edhe si operacionale në misione të sekrete.

“I jam mirënjohëse presidentit Trump për mundësinë, dhe përulem para rolit që më ka besuar. Nëse konfirmohem, pres me padurim t’i jap presidentit Trump mbështetjen e jashtëzakonshme të agjencisë së zbulimit që ai ka pritur”, citohet Haspel nga një deklaratë e shpërndarë nga Shtëpia e Bardhë, shkruan Top Channel.

Edhe Mike Pompeo e vlerësoi lartë figurën e saj. “Është një oficere shembullore e zbulimit”, tha ai.

Zyrtarë dhe ish-zyrtarë përgjithësisht e kanë mirëpritur emrin e saj, madje disa thonë se me Haspel në krye, CIA-s do t’i largohet “hija e politizimit” që kishte deri më tani me Mike Pompeon.

Ndërkohë, ish-kolegë të saj theksojnë përvojën që ajo ka me Rusinë në fund të Luftës së Ftohtë, ashtu edhe në përpjekjet e antiterrorizmit të agjencisë, pas sulmeve të 11 shtatorit 2001.

Por, kritikët e Haspel janë kryesisht aktivistë dhe shoqata për të drejtat e njeriut, por edhe senatori John McCain. Ajo cilësohet si shumë e ashpër me metodat e saj, duke kujtuar periudhën kur ajo drejtonte një burg të CIA-s në Tajlandë ku mbaheshin dhe pyeteshin të dyshuar për terrorizëm.

“Torturimi i të burgosurve në arrest nga SHBA gjatë dekadës së fundit ishte një nga kapitujt më të errët të historisë amerikane. Znj. Haspel duhet të shpjegojë natyrën dhe shtrirjen e përfshirjes së saj në programin e marrjes në pyetje të CIA-s gjatë procesit të konfirmimit”, tha senatori McCain.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re