Në mediat franceze sot shpërtheu si bombë zbulimi i revistës L’ Express se drejtori i saj në vitet ’70, Philippe Grumbach – me pseudonimin “Brok” – ishte spiun i shërbimeve sekrete të Bashkimit Sovjetik.

 “Një gazetar brilant, por edhe një tradhtar i Francës që për tridhjetë e pesë vjet punoi për KGB-në”, shkruan L’Express.

Rrethi i tij intim e ka konfirmuar këtë lidhje sekrete për revistën L’Express. Grumbach “u zhvendos në rrethin e ngushtë të Francois Mitterrand dhe Giscard d’Estaing dhe, pa e ditur të gjithë, ishte një nga spiunët më të mëdhenj sovjetikë të Republikës së Pestë Franceze”, thotë kryeredaktori i revistës Etienne Girard, i cili së bashku me Anne Marion, bashkë-nënshkruan hetimin shumëvjeçar të kryer në arkivat e KGB-së, shkruan gazeta Le Figaro.

Philippe Grumbach ndërroi jetë në vitin 2003, në moshën 79-vjeçare. “Ishte e pamundur të mos zbulohej kjo zonë gri brenda një reviste, nga Jean-Jacques Servan-Schreiber te Jean-François Revel, nga François Mauriac te Raymond Aron, të cilët gjithmonë janë përpjekur të luftojnë totalitarizmin e utopisë dhe fatkeqësitë e komunizmit”, shkruajnë Étienne Girard dhe Éric Chol, drejtorë editoriale në editorialin e revistës.

Agjent sekret i BRSS

Philippe Grumbach shërbeu si kryeredaktor nga viti 1956 deri në vitin 1960, përpara se të bëhej drejtor redaksi në vitin 1974. Ai ishte gjithashtu drejtor redaktues në Agence France-Presse nga 1946 deri në 1948.

Mbrojtësi i l’Express, një spiun i KGB-së

Pas një pushimi të shkurtër në gazetën Libération – atëherë Paris-Presse -l’Intransigeant – ai iu bashkua revistës L’Express” në vitin 1954 si redaktor. Në vitin 1965 u bë redaktor i revistës franceze Pariscope dhe më pas i Crapouillot.

Hapi i tij i radhës ishte kthimi në revistën L’Express ku nga viti 1971 mban postet e drejtorit politik, kryeredaktorit dhe më pas drejtorit të redaksisë. U bë anëtar i Këshillit të Lartë Audioviziv (1977-1981), producent filmash dhe në vitin 1984, u rikthye në shtyp duke zgjedhur gazetën Le Figaro.

A ishte ai një spiun “jashtë ideologjisë” dhe më pas “nga shija e parave?” pyet drejtori aktual i redaksisë së revistës L’Express.

“Në nivelin e çnderimit, emri i Philippe Grumbach i bashkohet emrit të aktorëve të tjerë të Lindjes që ndërhynë në zyrat më të larta të shtetit apo medias, dhe tani janë ekspozuar”, argumenton editoriali i revistës duke kujtuar se:

“Tashmë, në vitin 1996, revista L’Express kishte zbuluar se si ish-ministri Charle Hernou punonte për llogari të KGB-së dhe satelitëve të saj”.

“Ky depërtim sovjetik në sferat e pushtetit gjatë Luftës së Ftohtë duhet të na thërrasë vazhdimisht të jemi vigjilentë”, thekson Éric Chol, duke iu referuar përpjekjeve të fundit për ndërhyrje të huaj në Francë.

Më 11 tetor 1980, Philippe Grumbach, ish-redaktor i revistës L’Express, u martua me Nicole, themeluese e një reviste popullore në të gjithë Parisin, njëzet e shtatë vjet më e vogël se ai.

Aktori i famshëm Alain Delon ishte aty me një papion, smoking, ashtu si edhe ylli i Hollivudit, Isabelle Adjani, joshëse pa shpresë.

Në foto, ish-drejtori i revistës franceze, i gjatë, 50-vjeçar, dukej elegant me një kostum, kravatë dhe pochette (shami xhepi xhakete) me një buzëqeshje të lehtë.

“Një aristokrat i shtypit”, shkruante L’Express, duke iu referuar vdekjes së tij në vitin 2003. Ajo që askush nuk e dinte ishte se ky drejtor i rëndësishëm i shtypit fshihte një sekret të errët: Ai ishte një nga agjentët kryesorë të KGB-së në Francë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re