Zyrtari i lartë i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Europë u bëri thirrje qeverive të martën që të përgatiten për një “rritje të konsiderueshme” të rasteve të koronavirusit në të gjithë kontinentin për shkak të variantit Omicron, i cili tashmë mbizotëron në disa vende.

“Mund të shohim se një stuhi tjetër po vjen,” tha drejtori rajonal i OBSH-së për Europën, Dr. Hans Kluge, në një konferencë shtypi në Vjenë. “Brenda disa javësh, Omicron do të mbizotërojë në shumë vende të rajonit, duke i vënë akoma më në vështirësi sistemet shëndetësore, të cilat tashmë janë të ezauruara.”

Prania e Omicron është konfirmuar në të paktën 38 nga 53 vendet anëtare të rajonit europian të OBSH-së, shtoi Kluge, duke vënë në dukje se tashmë Omicron është varianti dominues në Mbretërinë e Bashkuar, Danimarkë dhe Portugali.

Javën e kaluar, 27,000 njerëz humbën jetën nga koronavirusi në këtë rajon, si dhe u raportuan 2.6 milionë raste të tjera, tha Kluge. Edhe pse këto raste përfshijnë të gjitha variantet, jo vetëm Omicron, ai vuri në dukje se kjo shifër është 40% më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

“Numri i madh i infektimeve të reja me COVID-19 mund të sjellë më shumë shtrime në spital dhe kolaps të gjerë të sistemeve shëndetësore dhe shërbimeve të tjera kritike,” tha ai.

Deri më tani, Kluge tha se 89% e rasteve të konfirmuara me Omicron në Europë raportuan simptoma të ngjashme me variantet e tjera të koronavirusit, duke përfshirë kollën, dhimbjen e fytit, temperaturën. Varianti është përhapur në këtë rajon kryesisht nga të rinjtë e moshës 20 – 30 vjeҫare, shtoi ai.

Edhe pse mbeten shumë të panjohura për Omicron, Kluge tha që ai duket se është më infektues se variantet e mëparshme, duke çuar në “një shkallë transmetueshmërie që nuk ishte hasur ndonjëherë më parë” në vendet me një numër të konsiderueshëm të rasteve të Omicron. Në këto vende, rastet e variantit dyfishohen çdo 1.5 deri në 3 ditë.

Qeveritë europiane duhet të vazhdojnë të përshpejtojnë fushatat e tyre të vaksinimit, të prezantojnë masa shtesë për të ngadalësuar përhapjen e variantit, si dhe të përgatisin infrastrukturën kritike që përfshin sistemet e kujdesit shëndetësor, për të qenë gati për valën e infektimeve që do të vijë, tha Kluge./ Associated Press

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re