Mediat iraniane raportojnë se të mërkurën në mëngjes pjesa jugore e vendit u godit përsëri nga një tërmet i ri me fuqi prej 6.1 ballë sipas shkallës së Rihterit, pas të cilit pasuan disa tërmete të tjera.
Raportet thonë se tërmeti prej 6.1 ballë, sikur i së martës, epiqendrën e kishte në fshatin Hajdak, rreth 700 kilometra në jug të Teheranit, në provincën Kerman.
Më tej thuhet se tërmeti që ka ndodhur të mërkurën në mëngjes ishte i një thellësie prej dhjetë kilometrash dhe se 58 persona u plagosën derisa po iknin nga shtëpitë e tyre, shkruan aa. E njëjta zonë u godit nga disa tërmete të tjera në vazhdim me prej 4 deri në 5.1 ballë.
Të paktën 17 persona u plagosën në tërmetin prej 6.2 ballë që goditi provincën Kerman të martën.
Në nëntor të këtij viti, pjesa perëndimore e Iranit u godit nga një tërmet prej 7.2 ballë sipas Rihterit, në të cilin jetën e humbën më shumë se 600 njerëz. Në tërmetin prej 6.6 ballë, në vitin 2003, qyteti historik Bam u rrafshua për tokë, ndërsa jetën e humbën rreth 26 mijë njerëz.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re