Skip to content

Një tërmet me fuqi 6,2 ballë godet Indonezinë, 35 të vdekur

Të paktën 35 persona kanë humbur jetën nga një tërmet me fuqi 6,2 ballë që ndodhi në provincën Sulawesi Perëndimor në Indonezi.

Sipas faqes së internetit “Kumparan”, kreu i Agjencisë se Fatkeqësive të provincës Sulawesi Perëndimor, Darno Majid, tha se sipas informacioneve të deritanishme nga tërmeti kanë humbur jetën 35 persona.

Majid tregoi se në mbarë rajonin janë rrënuar 10 shtëpi dhe se rreth 100 shtëpi janë dëmtuar, duke shtuar se po mundohen të marrin informacione shtesë në lidhje me zhvillimet e fundit.

Autoritetet njoftuan se deri më tani 637 janë lënduar si pasojë e tërmetit dhe se ndërtesa e guvernatorit të provincës dhe një spital gjithashtu janë dëmtuar.

Zyrtarët e Agjencisë së Meteorologjisë, Klimatologjisë dhe Gjeofizikës (BMKG) informuan se deri më tani janë regjistruar 26 tronditje dhe paralajmëruan banorët e rajonit të qëndrojnë larg ndërtesave të larta për shkak të rrezikut të shembjes në rast të lëkundjeve të mundshme.

Më herët u njoftua se tërmeti, i cili u raportua të jetë regjistruar në një thellësi prej 10 kilometrash 6 kilometra në verilindje të qytetit Majene, është ndjerë edhe në qytetet Palu dhe Makasar.